Escobar mbyll vizitën në Tiranë – Mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe ashpërson luftën ndaj korrupsionit
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-ve për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitoi më 9 dhjetor Shqipërinë.
Ai takoi disa krerë të lartë shtetërorë, ku fokusi kryesor ishte mbështetja e ritheksuar e amerikanëve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe një ashpërsim në retorikën e luftës kundër korrupsionit.
Në një postim në Facebook, Ambasada Amerikane në Shqipëri zbardhi edhe detaje nga tri takimet e rëndësishme të Escobar-it.
I pari u zhvillua me kreun e opozitës, Lulzim Basha.
Më pas, ai takoi kryediplomaten shqiptare, Olta Xhaçka, dhe në fund, përmbylli vizitën me kreun e Qeverisë, Edi Rama.
“Falënderoj Shqipërinë për partneritetin e saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe rikonfirmoj mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, theksoi ai.
Ai vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Ai mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Mbi të gjitha, bashkëpunimet në fushën e mbrojtjes, si aleatë të NATO-s.
Gjithashtu, Escobar u ndal te krijimi i më shumë mundësive për tregti dhe investime. Punë e përbashkët është bërë, sipas tij, midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, për integrimin rajonal dhe global.
Pjesëmarrja e Tiranës zyrtare në Këshillimin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2022 është, po ashtu, një hap pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve të forta mes dy shteteve mike.
Kjo vizitë e Escobar-it është në vazhdën e një sërë takimesh që ai po zhvillon në gjithë rajonin.
Ndërkohë që agjenda e tij ishte e ngjeshur, jashtë u la presidenti i vendit, Ilir Meta, teksa takimet me drejtues të lartë politikë erdhën vetëm dy ditë përpara Kuvendit Kombëtar demokrat, të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Greqia nuk do të dërgojë sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë pavarësisht presionit të BE-së
-
Bardhi i përgjigjet Ramës: Do ta kuptojë shumë shpejt nëse kam bërë apo jo kallëzim në SPAK
-
Basha: Ja vija blu që të bashkohemi rreth një alternative
-
Rama: Kallëzimi i pabërë i Bardhit iu shit si sapun për djathë italianëve