Lajme

Escobar: Marrëveshja Kosovë-Serbi zbatohet deri në fund të verës


Gabriel Escobar

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve “MINA”, tha se beson që Marrëveshja e Brukselit/Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të zbatohet deri në fund të verës.

Në fakt, top-diplomati amerikan pohoi se “nuk sheh asnjë arsye” që zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nën patronatin e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të mos jetësohet “deri në fund të verës”.

“Më vjen keq, nuk është pritshmëri, është një detyrim. Ne duam të shohim që procesi të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk shoh arsye pse nuk mund të përfundojë deri në fund të verës”, deklaroi Escobar, teksa përkujtoi se marrëveshja është “ligjërisht e detyrueshme” dhe se tani shtrohet pyetja se si të zbatohet plotësisht.

Escobar theksoi se “njohja e targave të automjeteve, letërnjoftimet dhe disa gjëra tjera”, janë disa nga pikat e marrëveshjes të cilat duhet t’i zbatojë Serbia, ndërsa shtoi se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhet të tregojnë “kurajo politike për të ndërmarrë hapat e duhur”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkura, me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, po insistojnë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh aktualisht në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndonëse palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta, për Perëndimin paraqitja e draft-statutit nga Ekipi Menaxhues – tashmë i shkarkuar/shpërndarë nga Qeveria e Kosovës – ishte vlerësuar si “hap simbolik” dhe “pikënisje” drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm kushtetues.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Escobar: Jemi duke e pritur versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore