Kosova

Escobar: Jemi të fokusuar te finalizimi i marrëveshjes, jo te nënshkrimi


Gabriel Escobar

Pritja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga takimi i sotëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas emisarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është finalizimi i planit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Ky takim sipas diplomatit amerikan është një mundësi për t’i lënë mbrapa ngjarjet e viteve të 90’ta, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për rajonin në tërësi.

Escobar i cili pritet marrë pjesë në takimet e Ohrit në cilësinë e vëzhguesit, beson se edhe Kosova edhe Serbia kanë marrë seriozisht përgjegjësitë që kanë ndaj dialogut.

“Kështu që, unë shpresoj se do të arrijmë një aneks të finalizuar për një marrëveshje për normalizim sot”, ka shtuar ai.

Në këtë fazë beson Escobar më e rëndësishme është finalizimi i aneksit sesa fokusimi te nënshkrimi i Marrëveshjes.

Escobar, ka folur edhe për pasojat që mund të ketë Kosova në rast të dështimit të marrëveshjes sot në Ohër.

Pasoja kryesore, sipas tij, është ngecja në integrimin euroatlantik.

“Pra, për Kosovën, një nga pasojat është se Bashkimi Evropian pret që ajo të tregojë vullnetin e mirë për të qenë në gjendje të ketë një marrëdhënie paqësore me fqinjin e saj më të madh, përpara se të vendosë nëse ajo është e përgatitur për ta marrë kandidaturën në Bashkimin Evropian. Pra, kjo është një pasojë mjaft e madhe. Por, përtej kësaj, ka pasoja në mospasjen marrëdhënie paqësore me fqinjët tuaj. Pra, kjo nuk është një pasojë që ne do ta imponojmë, ky është vetëm një fakt i natyrshëm që Kosovës i duhet një marrëdhënie pozitive, miqësore dhe paqësore me Serbinë”.

Rrugët e qytetit të Ohrit nga mëngjesi i hershëm i 18 marsit janë zbrazur nga makinat civile për shkak të perimetrit të sigurisë të vendosur disa kilometra larg hotelit “Inex Olgica” ku do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Qindra policë në pothuajse gjithë qytetin janë vendosur si patrulla të rregullta nga hyrja e qytetit e deri tek porta e jashtme e hotelit ku nga ora 10:00 do të vijnë pos Kurtit e Vuçiç-it, edhe dy përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Miroslav Lajcak.

Agjenda zyrtare

Pas ardhjes së liderëve në orën 10:00, në orën 10:30 fillojnë takimet e Borrell e Lajcak me liderët individualisht.

Nuk është dhënë njoftimi se me cilin nga liderët do të fillojnë dyshja nga BE.

Këto takime nevojiten për konkretizim të pikave që më pas shërbejnë si hartë në takimin trepalësh mes dy diplomatëve të BE-së dhe Kurtit e Vuçiç-it.

Takimet paraprake janë praktikë e vendosur nga ndërmjetësuesja e parë, paraardhësja e Borrellit, baronesha Catherine Ashton.

Këtu u tregohet liderëve se kush do flas i pari dhe kush i dyti. Në cilat anë do të ulën, sa minuta kanë për fjalën hyrëse dhe për çka konkretisht do të flasin.

Liderët në këto takime tregojnë gjithashtu pikat e tyre konkrete dhe më pas arrihet pajtim se çka duhet të flitet e çka jo. E gjitha bëhet që të mos krijohen befasi në takim, por secili paraprakisht ta dijë rolin e vetë.

Më pas fillon takimi trilateral.

Për shkak të semantikës së përdorur dhe ambiguitetit në deklarata, pak mund të kuptohet se cilat janë qëndrimet e dy palëve para takimit.

Megjithatë, deklarimet e ndërkombëtarëve, siç ishte ai i 17 shkurtit nga Escobar, pas takimeve të zhvilluara në Beograd dhe Prishtinë, kanë dhënë nota optimiste për pajtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore