Lajme

Escobar: Jemi duke e pritur versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit


Gabriel Escobar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, ka thënë se “jemi duke e pritur versionin e Kosovës për statutin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, e sipas tij “kjo duhet të bëhet tash”.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel, dhe pastaj e përforcuar me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Escobar deklaroi se asnjëra nga shtetet nuk janë duke ecur para me zbatimin e marrëveshjes.

“Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, pohoi ai.

Ndërkaq, i pyetur nëse Asociacioni është hapi i parë për zbatimin e marrëveshjes, diplomati amerikan potencoi se të gjitha pikat e saj duhet zbatuar, por theksoi se “është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

“Çka duam ne si ShBA që është statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti”.

Sa i përket modelit se si duhet të themelohet Asociacioni, ai tregoi se “ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën” e Kosovës.

“Asociacioni është një mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe. Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë”.

I pyetur se çfarë duhet të bëjë Serbia si hap të parë në zbatimin e marrëveshjes, ai nuk përmendi diçka specifike, por nënvizoi se “mund të them se për Serbinë dhe Kosovën urgjente është që të rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre”.

“Kjo është edhe esenca e krejt marrëveshjes. Ne duhet të fillojmë menjëherë me vullnet të mirë në implementimin e të gjitha elementeve të saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore