Muzikë

Erolld Belegu debuton në muzikë, publikon këngën e parë


“Kurrë s’është vonë për të bërë atë që do, ndjen dhe pëlqen” – kështu, ka vepruar së fundmi edhe një personazh publik, i njohur si një nga biznesmenët më të suksesshëm në Kosovë, Erolld Belegu, ka vendosur që një recetë të ngjashme të përdorë edhe në muzikë.

Belegu, ka debutuar në muzikë duke publikuar këngën e tij të parë, të titulluar – “E bukur, pa zemër”.

Këngës së tij të parë, të cilën e ka shkruar vetë, Erolldi, i ka bashkangjitur edhe një video klip të realizuar nga “Vula Films”.

“E bukur, pa zemër” është një baladë kushtuar dashurisë, ndërsa brenda skenave të kuruara të klipit, Erolldi shfaqet duke vallëzuar vals me statisten e videos.

Si i ri në sferën e muzikës, projekti muzikor i Erolld Belegut, e ka ndarë publikun në dy. Disa e kanë komplimentuar për hapin e ndërmarrë duke e quajtur si “të duhur”, ndërsa shumë të tjerë e kanë kritikuar atë për publikimin e këngës në një “moshë të shtyer”.

Erolld Belegu aktualisht është 55 vjeç dhe gjatë jetës së tij kishte pasur pozita të rëndësishme në organet shtetërore.

Dikur, ai ishte Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndërkohë që disa vite më parë, Belegu, ishte këshilltar i Kryeministrit të asaj kohe të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt.

Në karrierën e tij të hershme, Erolldi, po ashtu kishte punuar si gazetar në gazetën ditore, “Rilindja”, ndërsa më vonë u bë drejtor marketingu në Radio Televizionin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore