Lajme

Erion Veliaj viziton Thaçin dhe të tjerët në Hagë – “të pandalshëm e energjikë, do dalin triumfues”


Enver Hoxhaj dhe Erion Veliaj

Në vazhdën e vizitave të shumta që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë pasur në burgun e Hagës, ku po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara nën akuzat e supozuar për krime gjatë luftës së fundit në Kosovë, e fundit është ajo e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Bashkë me nën-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-zëvendëskryeministrin, Enver Hoxhaj, kryetari i Tiranës ka vizituar “shokët në Hagë”.

Vizitën e bëri të ditur Hoxhaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Bashkë me kryetarin e Tiranës, mikun tim, Erion Veliajn, vizituam shokët… Si gjithnjë, të vendosur dhe plot vullnet për ta fituar betejën e Kosovës në Hagë”.

Hoxhaj ka shkruar edhe se tashmë duhet të kuptohet qartësisht se “atje po gjykohet lufta e lavdishme e UÇK-së dhe jo individi”.

“Të pandalshëm e energjikë, do të dalin triumfues të kësaj vazhdimësie të luftës për liri dhe pavarësi të krerëve të UÇK-së”, është shprehur Hoxhaj.

Vetë Veliaj nuk e ka njoftuar – deri në këto momente – vizitën që kishte në qendrën e paraburgimit në qytetin holandez, ku edhe është e vendosur Gjykata Speciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore