Futboll

Eric Cantona i bashkohet korit anti-Super Ligë Evropiane


“Mbreti” foli. Kush është mbreti po pyesni? Natyrisht që Eric Cantona, ish sulmuesi i Manchester United.

“Mbreti”, siç njihej mbi fushën e blertë, është shprehur kundër nismës së Super Ligës Evropiane (ESL).

Cantona i është drejtuar 896 mijë ndjekësve të tij në Instagram me një video ku thotë:

“Dëshiroj të them diçka për Super Ligën Evropiane: për një vit të tërë, kemi qënë në gjendje të shohim ndeshjet tona të preferuara të futbollit; bashkë me to edhe ekipet dhe lojtarët me të mirë në botë por, ka qenë tepër e mërzitshme. E mërzitshme sepse me stadiumet e zbrazura dhe mosprania e fanfarave, koreve dhe koreaografive të tifozëve futbolli është thjesht… i mërzitshëm”, rrëfeu Cantona.

Cantona mendon se ESL është e destinuar të rrënohet herët apo vonë sepse themeluesit e saj ende nuk janë përballur me tifozët:

“Tifozët janë themeli i futbollit. A janë konsultuar klubet e mëdha me tifozët rreth këtij vendimi? Përgjigjja është jo. Mendoj se pikërisht ky mosrealizim, do të prodhojë dështimin e Super Ligës Evropiane”, përfundoi Cantona.

Bastian Schweinsteiger, ish mesfushori i Bayern Munich-ut i është bashkuar zërave kundërshtues duke shkruar në Twitter se “nëse Super Liga krijohet, do ta shkatërroj përfundimisht futbollin bashkë me ligat kombëtare siç të gjithë ne i njohim. Më krijon mendime të trishta kjo situatë”, shkroi Schweinsteiger ditën e diel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore