Lajme

Erdogan thërret Putinin dhe Zelenskyn në Stamboll


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan beson se marrëveshja për të zhbllokuar eksportet e grurit nga portet ukrainase krijon një terren të favorshëm për negociata më të gjera midis Kiev-it dhe Kremlin-it.

Madje, ai shprehu gatishmërinë e tij për të pritur një takim midis Putinit dhe Zelenskit në Stamboll.

Siç raporton agjencia “Anadolu”, Erdogan e deklaroi këtë pas një takimi me presidentin e Federatës Ruse Vladimir Putin në Sochi.

“Tani është e rëndësishme të zbatohet ky plan dhe të transformohet kjo atmosferë pozitive në hapa konkretë për t’u kthyer në negociata në Stamboll. Unë e kam theksuar që në fillim se nuk do të ketë fitues në luftën në Ukrainë. Pavarësisht vështirësive, unë jam ende i vendosur. I bindur se çështja do të zgjidhet në tryezën e negociatave”, deklaroi Erdogan.

Ai shtoi se Ankaraja do të vazhdojë të “promovojë dialogun me Rusinë në të gjitha fushat për të promovuar stabilitetin rajonal dhe global”.

Siç raportohet, Erdogan gjithashtu ra dakord për pagesën e pjesshme për gazin rus në rubla.

Sipas Bloomberg, Putin e sheh presidentin turk si një ndërmjetës të mundshëm në bisedimet e paqes me Ukrainën.

Para takimit, mediat perëndimore, duke cituar burimet e tyre, raportuan se Putini do t’i kërkonte Erdoganit të ndihmonte Federatën Ruse.

Kjo, për të anashkaluar sanksionet perëndimore në sektorët e energjisë dhe financiare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore