Lajme

Erdogan tërhiqet nga marrëveshja për mbrojtjen e grave


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka tërhequr vendin nga një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar për të mbrojtur gratë duke nxitur kritika se ajo ishte e nevojshme në kuadër të trajtimit të dhunës në familje në rritje.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se Marrëveshja e Këshillit të Evropës, e quajtur Konventa e Stambollit, zotohej të parandalonte, ndiqte penalisht dhe të eliminonte dhunën në familje duke promovuar barazinë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Turqia në vitit 2011, mirëpo vrasjet e grave në vend ishin në rritje gjatë viteve të fundit.

Lidhur me tërheqjen nuk u dha asnjë arsye, por nga zyrtarët e lartë të shtetit u deklarua se ligji i brendshëm do të mbronte të drejtat e grave më shumë se sa rregullimet e jashtme.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të 47 vendeve të Evropës, Marija Pejcinovic, e ka cilësuar vendimin e Turqisë për t’u tërhequr nga marrëveshja si “shkatërrues”.

Ajo ka shtuar se “kjo lëvizje është një pengesë e madhe…dhe akoma më e mjerueshme sepse komprometon mbrojtjen e grave në Turqi, në të gjithë Evropën dhe më gjerë”.

Konservatorët turq e kanë mbështetur tërheqjen pasi janë të mendimit se pakti minonte strukturat familjare dhe inkurajonte dhunën. Ndërsa të tjerë, përpjekjen e Konventës për promovimin e barazisë gjinore e shohin si promovim të homoseksualitetit duke pasur ndër mend mosdiskriminimin e orientimit seksual.

Sipas zëvendëspresidentit turk, Fuat Oktay, është ruajtja e strukturës tradicionale të shoqërisë ajo që do të mbrojë dinjitetin e grave.

“Për këtë qëllim sublim, nuk është nevoja të kërkohet ilaçi jashtë ose të imitohen të tjerët”, ka shkruar Oktay në platformën Twitter.

Nga ana tjetër, ministrja e familjes, punës dhe politikave sociale, Zehra Zumrut, ka deklaruar se kushtetuta dhe ligjet aktuale i garantojnë të drejtat e grave.

Por, jo të gjithë mendojnë kështu. Kritikët janë shprehur se tërheqja do e largojë Turqinë nga Bashkimi Evropian, duke ngelur në pritje për t’u bashkuar.

Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i Stambollit, i cili i përket partisë kryesore opozitare, ka thënë se tërheqja nga pakti është “e dhimbshme” dhe se shpërfill luftën e grave gjatë viteve.

Sipas Reuters, Turqia nuk mban statistika zyrtare mbi vrasjen e grave, por nga të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë 38% e grave në Turqi janë subjekt i dhunës nga partneri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore