Lajme

Erdogan për krizën energjetike: Evropa po korr atë që ka mbjellë


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan beson se vetë Evropa është fajtore për krizën aktuale energjetike.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Haber Global”, duke cituar deklaratën e tij para fillimit të turit ballkanik.

“Ne nuk kemi problem me gazin natyror. Evropa në fakt po korr atë që ka mbjellë. Qëndrimi i zotit Putin është se nëse ju bëni këtë, unë do ta bëj atë. Ai po përdor të gjitha mjetet dhe armët që ka në dispozicion më e rëndësishmja prej tyre është gazi natyror”, u shpreh fillimisht Erdogan.

Ai shtoi se “nuk do të donim, por kjo është situata në Evropë dhe mendoj se Evropa do të ketë probleme serioze këtë dimër. Ne nuk kemi një problem të tillë”, tha presidenti turk.

Deri në çastin e heqjes tërësore të sanksioneve nga ana e perëndimit, furnizimi me gaz të lëngshëm, do të jetë i pjesshëm.

Dmitry Peskov, zëdhënës për shtyp i Kremlinit, e ka bërë të qartë këtë gjë gjatë një konference për shtyp, ku ka përkufizuar edhe politikën e re, që Gazprom do të ndjekë.

Nord Stream 1, linja furnizuese e detit Baltik, u raportua se pati probleme dhe riparime po kryheshin për të ndrequr gabimet.

Mirëpo, sipas Peskov, rasti nuk është i tillë dhe lajmin, e mohoi, duke shtuar se vendimi lidhet posaçërisht me vendet perëndimore.

“Problemi me pompat e gazit ka ardhur për shkak të sanksioneve perëndimore, jo prej ndonjë problemi tubacionesh apo problemi teknik”, parashtroi ai.

Të gjithë vendet e BE-së, kanë hasur në vështirësi energjetike dhe një dimër tepër i gjatë pritet për to.

Shumë vende, kanë filluar të kërkojnë burime alternative të gazit të lëngshëm, ku e suksesshme deri tani ka qenë Italia me linjën që i vjen nga Algjeria.

Gjermania, mbetet edhe vendi më i varur nga gazi rus, sa i përket sistemit të ngrohjes.

Ndërsa, Franca, ka filluar të zhvendosë aksionin për nga energjia e rinovueshme, përmjes mullinjve të erës, si edhe nuk ka anashkaluar dëshirën për një rinfrastrukturim të centraleve bërthamore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore