Shqipëria

Erdogan paralajmëron: Veproni ndaj FETO-s, mund të shkaktojë grusht shteti edhe këtu


“FETO si strukturë përbën kërcënim për Shqipërinë. Fatkeqësisht, anëtarët e kësaj organizate vazhdojnë të jenë këtu. Tregojnë ekzistencën e tyre në arsim, institucione fetare dhe në sektorin privat”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë fjalës së tij në Kuvend paralajmëroi se dhe në Shqipëri mund të ketë grusht shteti, ndaj duhet të merren masa.

“E kemi përjetuar këtë organizatë. Kemi paguar një kosto shumë të lartë. E quajmë detyrë t’u themi vëllezërve tanë që të mos keni të njëjtin fat siç përjetuam më parë. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese tinëzare, aq më e bardhë do të jetë e ardhmja juaj. Nëse nuk veproni, e njëjta gjë si në Turqi, mund të ndodhë në Shqipëri”.

Erdogan u tregua shpresëplotë se “Shqipëria do të marrë masa” dhe “nuk do të lejojë që kjo çështje, të errësojë raportet tona”.

“Shpresojmë që herën tjetër që do të jemi këtu, kjo të ketë marrë fund”.

Gjithashtu ai u shpreh se marrëdhënia midis Turqisë dhe Shqipërisë është e thellë dhe e palëkundur.

“Edhe pse ka kufij fizikë, Shqipëria është fqinji ynë në zemër”.

“Në emrin tim, delegacionit tim, kombit tim, ju përshëndes. Jam shumë i lumtur që vizitoj sërish Shqipërinë që kemi lidhje të forta miqësie dhe humane. Jam i nderuar të jem këtu me ju”.

Ai theksoi se do të punojnë për paqen dhe stabilitetin e vendeve.

“Rritja e bashkëpunimit mes deputetëve tanë do të japë fryt në marrëdhëniet tona. Me shpalljen e republikës turke 1923, është bërë një nga marrëveshjet e para me Shqipërinë, që quhet marrëveshje e përjetshme. Këto marrëdhënie nuk janë vetëm mes shteteve, por dhe popujve tanë”.

Për presidentin turk, “kur Turqia e Shqipëria të bashkojnë duart me lejen e të madhit, nuk do të ketë asnjë problem që të mos kapërcehet”.

“Këto marrëveshje të bashkëpunimit i kanë rrënjët të thella, tradicionale dhe të palëkundura. Përderisa mbrojmë vëllazërinë, qëllimet tona të përbashkëta, unë sinqerisht besoj. Nuk do të lejojmë askënd që të prishë këtë panoramë kaq të bukur dhe të këndshme siç e shikojmë së bashku”.

Presidenti turk ravijëzoi se krijimi i një mjedisi të përhershëm besimi, paqeje dhe stabilitetit janë prioritete të politikës së jashtme turke.

“Njohim rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në Ballkan”.

Erdogan mbërriti në Shqipëri mëngjesin e kësaj dite. Ai u prit nga Rama ku më pas vizituan qytetin e Kurbinit, për ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave të cilat u ndërtuan me financim nga qeveria turke.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin, Qeveria turke u mobilizua për të ndihmuar Shqipërinë.

Gjatë ditës së sotme janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi mes palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore