Lajme

Erdogan i kërkon Kurtit ta rishikojë çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar një letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por edhe ka shprehur shqetësimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe i ka bërë thirrje Qeverisë që ta rishikojë këtë vendim brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.

“Turqia, si gjithmonë, edhe në periudhën e ardhshme, do të solidarizohet në çdo fushë me popullin vëlla të Kosovës. Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni, gjithashtu, shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për Qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar Erdogan në letër.

Erdogan në letër, po ashtu, ka thënë se përfshirja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Qeverinë Kurti, parti kjo që ka fituar dy mandatet e rezervuara për komunitetin turk në Kuvendin e Kosovës, është një tregues se Kurti u kushton vëmendje prioriteteve dhe pritjeve të komunitetit turk.

Edhe kryeministri i Italisë, Mario Draghi, i ka shkruar Kurtit se “formimi i Qeverisë suaj bie në një moment historik të karakterizuar nga sfidat globale të paraqitura nga pandemia COVID-19”.

“Prioritetet që do të adresohen në nivel kombëtar – nga konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimi i ligjit deri te rimëkëmbja ekonomike – dhe stabilizimi i plotë i kornizës rajonale, ku rezultati i suksesshëm i dialogut me Serbinë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian përfaqëson një element qendror”, ka shkruar Draghi.

Ai ka shkruar po ashtu se “Kosova mund të llogarisë në mbështetjen dhe kontributin e Italisë në përputhje me angazhimin tonë historik dhe të konsoliduar me pjesëmarrje në Misionin e KFOR-it”.

Kurti ka pranuar letra urimi edhe nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ai i Çekisë, Andrej Babis dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

Të hënën, Albin Kurti me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, është zgjedhur kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Bashkë me Kurtin janë votuar edhe 15 ministrat e qeverisë së re “Kurti 2”.

Kurti zgjedhet kryeministër pas një fitore të paprecedentë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbi 50 për qind të votës popullore.

Letër urimi nga Republika e Turqisë:

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore