Shqipëria

Erdogan: Hapim një nga veprat më madhështore në qendër të Tiranës


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar në përmbyllje të vizitës së tij se Xhamia e Et’hem Beut është një nga veprat më madhështore që rihapet në qendër të Tiranës.

Erdogan gjendej në sheshin Skënderbej, aty ku u bë dhe përurimi i Xhamisë së Et’hem Beut.

Numri një i presidencës turke përshëndeti ndërkaq të gjithë pjesëmarrësit si nga Maqedonia e Veriut apo Kosova.

Fillimisht, Erdogan e konsideroi objektin e kultit një dëshmi artistike të periudhës osmane që ka mbërritur deri në ditët e sotme.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i shtetit turk bëri një përmbledhje të vizitës së 17 janarit.

Xhamia, sipas tij, me ndriçimin e ri do t’i japë një pamje magjepsëse qendrës së Tiranës.

Erdogan vuri theksin te TIKA si agjencia që bëri të mundur realizimin e 546 veprave konkrete.

Numri një i presidencës turke garantoi se do të vijojë t’iu qëndrojë pranë popullit shqiptar.

Deri në muajin e Ramazanit, Erdogan shpreson që t’i japë zgjidhje edhe restaurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Elbasan.

“Së bashku me mikun tim, kryeministrin e Shqipërisë, krah më krah, do të kemi sërish vepra të tjera të tilla që do të vihen në shërbimin tuaj”, tha kreu i presidencës turke.

Në përmbyllje, Erdogan uroi që ky restaurim i Xhamisë së Et’hem Beut të jetë në dobi të njerëzve.

Ceremonisë së prerjes së shiritit inaugurues iu bashkangjit edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kryeministri Rama nuk zgjodhi të merrte gërshërët për të prerë shiritin.

Sipas Erdogan, këto të fundit gjithësecili do i ruajë si kujtim për të mos i kthyer mbrapsht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore