Lajme

Erdogan drejtuar Mitsotakis: Turqit do të marshojnë të tërbuar nëse Greqia armatos ishujt


Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka përsëritur deklaratën e tij se Greqia po shkel traktatet ndërkombëtare, përkatësisht Traktatin e Lozanës, duke armatosur ishujt e Egjeut me status të çmilitarizuar.

“Ne vërejmë se autoritetet greke nuk janë në përputhje me Lozanën dhe traktatet e tjera. Çfarë thonë këto traktate? Këto ishuj nuk mund të armatosen”, u tha Erdogan gazetarëve më 20 janar në Stamboll.

Erdogan iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me deklaratën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis se Athina nuk dëshiron luftë me Turqinë dhe se të gjitha problemet mund të zgjidhen me dialog.

“Mitsotakis po flet në këtë mënyrë, por fjalët e tij nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar fatin e rajonit”, tha Erdogan, duke përsëritur reagimin e Ankarasë kundër përpjekjeve të Athinës për të armatosur ishujt afër kontinentit turk.

Turqia dhe Greqia kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje mbi problemet që rrjedhin nga Egjeu dhe Mesdheu, ku pretendimet e të dy palëve mbi ujërat territoriale dhe të drejtat sovrane mbivendosen.

Në një pyetje për procesin zgjedhor, pasi sinjalizoi se votimet mund të zhvillohen më 14 maj, Erdogan kujtoi se ai ka autoritetin ta çojë vendin në zgjedhje me një dekret.

“Le të themi se shpallim datën e zgjedhjeve më 10 mars, pastaj Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK) nis një proces 60-ditor për mbajtjen e zgjedhjeve. Pas asaj dite, YSK kontrollon procesin”, tha ai.

Sipas ligjeve aktuale, YSK-ja duhet t’i organizojë zgjedhjet të dielën e parë pas 60 ditësh kur presidenti të lëshojë dekretin.

Për kritikat e opozitës, Erdogan tha që “duket se e kanë pranuar 14 majin si ditë zgjedhjesh. Është një gjë pozitive për ta”.

“Turqit e çmendur do të marshojnë nëse Greqia armatos ishujt”

Erdogan paralajmëroi Greqinë se “turqit do të marshojnë të tërbuar” nëse Athina vazhdon të armatosë Ishujt e Egjeut.

“Nëse vazhdoni të armatosni ishujt, a do të qëndrojmë ne duarkryq?” pyeti Erdogan, duke iu drejtuar një ceremonie hapjeje në Stamboll.

“Shiko Mitsotakis, dije mirë këtë. Nëse përpiqeni të bëni një gabim, turqit do të marshojnë të tërbuar, ju e dini këtë”, tha Erdogan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore