Lajme

“Equinor” e mbylli vitin me fitimin më të lartë në historinë e saj


Kompania norvegjeze “Equinor” mbylli vitin 2022 me fitimin më të madh që nga themelimi.

Kjo, duke iu bashkuar një vargu kompanish që kanë raportuar më parë rezultate rekord falë rritjes së fortë të çmimeve të gazit dhe naftës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Fitimi neto i Equinor ishte 28.7 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe ishte tre herë më i lartë se në vitin 2021 dhe më i larti që nga themelimi i kompanisë.

Fitimi i rregulluar operativ u dyfishua nga një vit më parë, duke u rritur në 74.9 miliardë dollarë rekord.

Rekordi i mëparshëm, i vendosur në vitin 2008, ishte 36.2 miliardë dollarë dhe u nxit nga çmimi rekord i naftës së Detit të Veriut.

Kompania, në pronësi të shumicës nga shteti norvegjez, zhvendosi Gazprom-in rus vitin e kaluar si furnizuesi kryesor evropian i gazit natyror mes tubacioneve të dëmtuara dhe sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

“Equinor” prodhoi dy për qind më pak naftë dhe gaz vitin e kaluar se në vitin 2021, gjithsej 2.04 milionë fuçi ekuivalente nafte në ditë, por këtë vit pret që prodhimi të rritet me tre për qind.

Prodhimi i gazit në fushat në Norvegjinë e saj vendase u rrit vitin e kaluar me tetë për qind, ndërsa prodhimi i naftës u ul me gjashtë për qind, tregon raporti i biznesit i Equinor.

Kompania realizon shumicën e fitimeve të saj në Norvegji, ku kompanitë e naftës paguajnë një normë tatimore prej 78 për qind.

Ata theksojnë se në vitin 2022 do të paguajnë një rekord prej 49.9 miliardë dollarësh taksa.

Këtë vit, Equinor pret shpenzime kapitale nga 10 deri në 11 miliardë dollarë, pak a shumë në përputhje me planin e mëparshëm.

Ata ngritën vlerësimin e shpenzimeve në tre vitet e ardhshme, nga 12 në 13 miliardë dollarë në vit, transmeton Hina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore