Lajme

“Epopeja e UÇK-së, shtylla më e fortë e ngritjes së Kosovës”


Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

Krerët e shtetit në seancën solemne për nder të Epopesë së UÇK-së kanë kujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se e kaluara duhet të vazhdohet të mbahet mend gjithmonë, në të kundërtën kthehemi aty ku kemi qenë.

“Sikurse, dëshmohet në histori një çerek shekull nuk është shumë i gjatë në jetën e popujve dhe shekujve, mirëpo ai mund të tringëlloj i gjatë nga pikëvështrimi kohor. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ta mbajmë gjallë kujtesën për rrugën tonë”.

“Nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre, rrezikojnë t’i nënshtrohen përsëritjes së saj. Prandaj, ne duhet e do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe për të gjithë luftën e UÇK-së, të cilët ata e bënë për vendin”.

E para e shtetit, shtoi se vetëm kështu “shtresohet” rrëfimi ynë për vetveten.

“Ne duhet ta ruajmë kujtesën për rezistencën e kësaj familje, të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, por edhe sakrificën e një populli të tërë, si pjesë e historisë sonë së dhimbshme. Ngase, duke i kujtuar ata ne e shtresojmë rrëfimin tonë për vetveten dhe për rrugën të cilën e kemi kaluar deri në krijimin e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës”.

Sipas Osmanit, liria u fitua sepse u Kosova e njohu peshën e saj për shekuj, duke u përballur me mungesë të saj.

“Por, ne e fituam atë edhe pse në rrethana të vështira historike ne qëndruam dhe përballuam dhimbjen e luftuam të bindur në fitoren përfundimtare. Lirinë sikurse dihet e fitojnë ato popuj e vende që besojnë në to dhe që janë të gatshme t’i bëjnë ballë secilës sakrificë për ta arritur këtë. Ne që e kemi provuar shtypjen e dimë më së miri këtë”.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca tha se një ngjarje të tillë me të cilën është përballur Kosova nuk e njeh as historia e botës.

“Lufta e Prekazit e sakrifica e Jasharëve, është ngjarje e pashembullt jo vetëm në histrorinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës.

“Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore në tokën e lashtë të stërgjyshërve nga baci Shaban e deri tek Blerimi i vogël e shpallën lirinë e popullinë tonë dhe e mbrojtën atë deri në flijimin e tyre të plotë”.

Konjufca u shpreh se marsi vazhdon të jetë muaji kur për Kosovën u bë një kthesë e re.

“Lufta ishte aq legjendarë, sakrifica aq sublime, kurse vetmohimi aq tronditës ashtu që kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, kurse bota u zhvendos nga orbita e vetë politike. Ky është momenti kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u bë frymë dhe e përfshijti të gjithë popullin tonë. 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet epope”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vetë shtetit, rezistenca e familjes Jashari dhe figura e Adem Jasharit janë “themeltare”.

Sipas tij, të tilla do të mbeten përjetë.

“Plot një çerek shekulli më parë më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mijëra forca të armatosura të Serbisë e rrethuan shumëfish Prekazin në një operacion policor që pas tre ditë luftimesh, rezultoi me 59 njerëz të vrarë. Ishte hera e tretë që familja Jashari sulmohej nga policia serbe dhe ishte hera e tretë që ajo rezistonte përballë trupave policore të Serbisë pushtuese”.

“Por kësaj radhe qëndresa e familjes Jashari do të kthehej në rezistencë shembull që frymëzoi gjithë shqiptarët e Kosovës dhe kombin mbarë për t’u çliruar nga Serbia dhe për ta ndërtuar shtetin e Kosovës në liri. Pas 5, 6 dhe 7 marsit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të rritej si një ushtri vullnetarësh në të cilën do të mobilizoheshin të gjithë ata që kishin vullnetin dhe guximin për të luftuar për çlirimin e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti në kujtime ka kthyer vitin 1982 atëherë kur Rifati dhe Hamza kishin shkuar në Turqi për të marrë pamflete politike për t’i shpërndarë në Kosovë e që në to shkruante “Kosova Republikë”.

“Republika e Kosovës si shtet demokratik nis me Kosova Republikë si parullë popullore. Më shumë se katër dekada ku kishte shpërndarë pamflete me thirrjen Kosova Republikë, bacën Rifat Jashari e kemi këtu mes nesh në Kuvendin e Republikës së Kosovës. E kemi këtu për t’i kujtuar bashkë me krerët politikë të Kosovës, me deputetët e zgjedhur prej popullit në kuvendit, si me gjithë qytetarët e vendit tonë se çfarë kishte ndodhur atëherë”.

“Për 25 vjet rresht baca Rifat ka pritur dhe përcjellë pa numër delegacionet e njerëz që vizituan Prekazin dhe familjen Jashari. Ju faleminderit që me kaq dinjitet dhe fisnikëri e keni ruajtur atë histori të familjes suaj që ju e keni bërë bashkë me Hamzën dhe Ademin, me babën Shaban dhe nënën Zahide dhe me gratë e familjes, si dhe me djemtë e vajzat tuaj”, ka thënë kryeministri.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviçi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore