Lajme

Epopeja e UÇK-së, Kosova përkujton 24-vjetorin e rënies heroike të Jasharëve në Prekaz


Në natën mes 4 dhe 5 marsit të vitit 1998, regjimi serb i Sllobodan Millosheviç-it kishte ndërmarr një sulm të gjerë në Prekaz të Drenicës, për të “zhdukur” Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht drejtuesin e saj, komandantin Adem Jashari, por kjo betejë u kthye në gurthemel të lirisë dhe shtetit të Kosovës.

Ngjarjet e fillim marsit të vitit 1998 do të mbeten një dëshmi e gjallë për botën perëndimorë dhe për vetë historinë e Kosovës.

Në sulmin serb i cili zgjati deri më 7 mars 1998, mbetën të vrarë 55 njerëz, ku ndër ta kishte rënë heroikisht komandanti, Adem Jashari së bashku me 22 anëtarë të familjes së ngushtë, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Gratë dhe fëmijët e familjes Jashari

Nga familja Jashari të cilët ishin prezent gjatë sulmit arritën t’i shpëtoj vetëm Bashkimi Jashari, djali i Rifatit, tani Komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili mes datës 5 dhe 6 mars arrin të largohet nga rrethimi serb, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ishte fshehur në një magje të miellit, por që pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Pas rënies së komandant Adem Jashari dhe familjes së tij, shqiptarët e Kosovës mundën frikën ndaj regjimit serb dhe filluan të rreshtohen masovisht në aradhet e UÇK-së.

Mes viteve 1991 – 1998, familja Jashari ishte sulmuar disa herë nga policia serbe.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kishte ndodh një sulm ndaj familjes Jashari, sulm ky që njihet si sulmi i parë. Sulmi i dytë i regjimit të Milloshviçit ishte kryer më 22 janar, ku kishin mbetur të plagosura Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Pas vdekjes, Adem Jashari u bë simboli i luftës së Kosovës dhe pavarësisë së vendit. Shtëpia e familjes Jashari u kthye në shtëpi përkujtimore. Ndërsa përballë shtëpisë gjenden edhe varrezat e dëshmorëve që humbën jetën në sulm.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 24-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Sot në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore i kushtohet Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Në ora 11:00, do të mbahet Ceremonia e Rreshtimit të Njësive Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa kjo kazermë do të jetë e hapur për qytetar nga ora 12:00 deri në ora 15:00.

FSK

Në ora 12:00 do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa edhe kuvendet komunale do të zhvillojnë seanca solemne. Kurse nga ora 12:00 deri në ora 15:00, do të zhvillohen aktivitete me nxënës të shkollave.

Agjenda shtetërore për datën 6 mars do të fillojë në ora 9:00 me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ndërsa nga ora 12:00 do të bëhen homazhe në komplekset e tjera memoriale të dëshmorëve të UÇK-së.

Prekaz

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga ora 11:00 deri në ora 17:00, do të ketë instalacion me fotografi dhe video, duke shpërfaqur historinë e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998.

Në ora 17:00, kjo datë do të përmbyllet me Akademi përkujtimore në sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Dita e tretë e manifestimit, përkatësisht 7 mars do të hapet me orën e parë mësimore duke iu kushtuar Epopesë së UÇK-së.

Në ora 18:00, Manifestimi “Nata e Zjarreve”, do të organizohet koncert në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, ndërsa po në të njëjtën kohë në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë do të ndizen flakadanë, të cilët do të ndizen edhe në 7 zonat e UÇK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore