Lojëra

Epic Games, aplikacion që krijon njerëz virtual


Epic Games, kompania e lojërave dhe programeve, ka ndërtuar një aplikacion i cili mund të krijojë njerëz virtualë për lojëra dhe filma.

Dezeen, faqe kushtuar dizajnit, shkruan se aplikacioni i quajtur MetaHuman Creator, posedon një ndërfaqe e cila i mundëson përdoruesve të zgjedhin një nga fytyrat e paravendosura.

Pas përzgjedhjes së një prej fytyrave në dispozicion, përdoruesi mund të rregullojë detaje të tilla si forma e buzëve, distanca ndërmjet syve, ngjyra e lëkurës dhe dhëmbët.

“Deri më tani krijimi i njerëzve real në mënyrë digjitale ka qenë një proces i mundimshëm që kërkon javë ose muaj, por mbi të gjitha, ekspertizë teknike”, ka thënë Kim Liberi, shefi i teknologjisë te Epic Games.

Ndërkohë, me ndihmën e aplikacionit MetaHuman Creator, koha që nevojitet për krijimin e një karakteri digjital me cilësi të lartë kërkon minuta ose orë.

Në dispozicion të përdoruesve gjenden 18 lloje të ndryshme trupash të paravendosur dhe një shumësi opsionesh të veshjeve dhe modeleve të flokëve.

Aktualisht, Epic Games ka lëshuar dy karaktere shembull për të lejuar përdoruesit të eksperimentojnë me software-in para se të dalë zyrtarisht përgjatë vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore