Auto

Ende pak makina elektrike në tregjet e mëdha


Sipas një studimi të kryer nga Mobility Show i Mynihut, edhe pse Evropa dhe Kina dominojnë në tregun botëror të makinave elektrike, ka ende pak automjete të elektrifikuara në rrugët e tregjeve të mëdha si Rusia, Amerika e Jugut dhe Afrika.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në vitin 2020, Evropa për herë të parë arriti të shiste më shumë automjete të reja të elektrifikuara në krahasim me Kinën.

Dhe në bazë të studimit në mesin e këtyre dy tregjeve strehohen më shumë se 70 për qind e 9.9 milionë makinave të elektrifikuara që janë shitur deri më tani.

Në Bashkimin Evropian, si makinat elektrike edhe ato hibride plug-in, pothuajse janë trefishuar në mbi një milion automjete gjatë vitit të kaluar. Kjo shumë përbënte më shumë se 10 për qind të shitjeve të përgjithshme.

Studimi u bazua në shqyrtimin e të dhënave të regjistrimit të automjeteve prej një numri burimesh duke zbuluar se deri në vitin 2020 Kina kishte në rrugë 402 milionë automjete elektrike ndërsa Evropa kishte 3.2 milionë të tilla. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës numëronin rreth 1.7 milionë automjete elektrike në rrugë.

Në vitin 2020, shitjet e modeleve elektrike pësuan rritje në të gjitha tregjet kryesore me përjashtim të tregut amerikan ku shitjet e tyre ranë me gjashtë për qind.

Një gjetje tjetër ka të bëjë me faktin se 80 për qind e automjeteve të elektrifikuara të shitura në Kinë dhe 79 për qind e atyre të shitura në SHBA deri më tani ishin modele elektrike me bateri.

Ndërkohë që vetëm 54 për qind e atyre që ishin shitur në Evropë – përfshirë Bashkimin Evropian, vendet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë dhe Mbretërinë e Bashkuar – ishin me bateri elektrike. Kjo pasi kontinenti priret më shumë kah modeleve hibride plug-in.

Në Norvegji, deri më tani kishte afro 433 mijë e 609 makina elektrike të shitura dhe më shumë se 105 mijë njësi të shitjeve të reja për vitin 2020. Ndërkohë Rusia, ka arritur të shesë deri në vitin 2020 vetëm 1 mijë e 760 makina të elektrifikuara.

Në Amerikën e Jugut numërohej një shifër nën 18 mijë automjete elektrike të shitura deri në vitin 2020. Dhe në Afrikën e Jugut jo më shumë se 1 mijë e 509 të tilla.

Lidhur me Mobility Show të Mynihut, ai është pasardhësi i riparuar dhe i zgjeruar i shfaqjes së automjeteve në Frankfurt dhe pritet të mbahet në shtator të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore