Lajme

Ende nuk dihet motivi i vrasjes në Ferizaj, polici që e plagosi të dyshuarin po hetohet, thotë Jashari


Shukri Jashari

Një 30 vjeçar në Ferizaj dyshohet se mbrëmë pas mesnate, ka vrarë një bashkëmoshatarë të tij, i cili ka vdekur në vendin e ngjarjes. Megjithatë ende nuk dihen motivet që shtyn dorasin për ta kryere vrasjen, e cila rezultoi fatale.

Kështu të paktën bënë të ditur Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili ka potencuar se motivet nuk dihen ende për shkak se ende nuk është intervistuar dëshmitari që ishte bashkë me viktimën kur ndodhi vrasja.

Më tej, Jashari ka njoftuar se tashmë kanë nisur hetimet edhe për zyrtarin policor, që e plagosi të dyshuarin, i cili supozohet se e ka kryer vrasjen në fjalë.

“Gjithashtu, edhe ndaj zyrtarit policor janë duke u zhvilluar hetime nga Inspektori Policor i Kosovës. Prokuroria aktualisht është duke e përgatitur kërkesën për masën e paraburgimit”, ka thënë Jashari.

Në anën tjetër përmes një njoftimi për media Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e 30 vjeçarit në Ferizaj është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Ndryshe ngjarja e rëndë është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga ana e Policisë së Kosovës.

Komunikata në fjalë mes tjerash njofton se një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare, kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhër verbal “ndal policia” që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhëratë e policisë.

I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që, në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njeri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare , me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit .

I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emegjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore