Lajme

Ende e paqartë se kush do ta ndihmonte Tajvanin po të niste një luftë, thotë ministri i Jashtëm


Tajvani synon të luftojë për veten e tij në çdo konflikt të armatosur me Kinën dhe është e paqartë se cilat vende mund të qëndrojnë pranë tij.

Kështu deklaroi ministri i jashtëm i ishullit të vetëqeverisur, Joseph Wu.

Kina e pretendon Tajvanin si territorin e saj, që do të vihet nën kontrollin e saj me forcë dhe shqetësimet po rriten për një konflikt të mundshëm të armatosur.

Në një intervistë të premten e kaluar me “Sky News Australia”, Wu tha se Tajvani, me një popullsi prej 23 milionë banorësh krahasuar me 1.4 miliardë të Kinës, duhet të mbrohet dhe nuk u kërkon vendeve të tjera të luftojnë për të.

Megjithatë, i pyetur se kush mund të luftojë përkrah Tajvanit në rast të një lufte me Kinën, Wu u përgjigj se “kjo është një pyetje shumë e mirë”.

“Shumë njerëz po debatojnë për paqartësi strategjike ose qartësi strategjike, por për ne, ne e dimë përgjegjësinë tonë”, tha Wu për kanalin e lajmeve nga Taipei.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka thënë vazhdimisht se forcat amerikane do të ndihmojnë në mbrojtjen e Tajvanit, megjithëse politika zyrtare e SHBA mbetet e paqartë nëse dhe si do të dërgohen forcat.

Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, tha në mars se vendi i tij nuk kishte bërë asnjë premtim për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në çdo konflikt të ardhshëm mbi Tajvanin.

Biden dhe udhëheqësit e Australisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë njoftuar se Australia do të blejë nëndetëse sulmuese me energji bërthamore nga SHBA për të modernizuar flotën e saj, mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e Kinës në Indo-Paqësorin.

Kritikët australianë të marrëveshjes argumentojnë se Shtetet e Bashkuara nuk do të dorëzojnë deri në pesë nga nëndetëset e tyre të klasit Virginia pa garanci se ato do të vihen në dispozicion në rast të një konflikti me Kinën për Tajvanin.

Wu tha se Tajvani po punon për të ruajtur status quo-në – në thelb pavarësinë de facto pa një deklaratë zyrtare.

Një koloni japoneze deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, Tajvani u nda nga Kina kontinentale katër vjet më vonë pasi qeveria nacionaliste e Chiang Kai-shek u arratis në ishull përpara marrjes së pushtetit nga komunistët e Mao Ce Dunit.

Tajvani nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës dhe, ndonëse gjithnjë e më shumë i izoluar diplomatikisht dhe i kërcënuar ushtarakisht nga Pekini, ka mbajtur një prani ndërkombëtare të ndarë nga kontinenti.

SHBA-të mbeten aleatët më të afërt ushtarak dhe politik të Tajvanit, pavarësisht mungesës së lidhjeve zyrtare diplomatike mes tyre.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë paralajmëruar për potencialin e konfliktit në vitet e ardhshme dhe forcat amerikane kanë forcuar praninë e tyre në Azi, së fundmi në Filipine, për t’iu përgjigjur një emergjence të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore