Lajme

Emra të tjerë në listën e zezë të SHBA-së, publikohen në fund të janarit


Zvonko Veselinoviç, Serb i Kosovës i dyshuar për krim të organizuar e korrupsion

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), po përgatisin një listë të re të zezë për sanksione dhe lista e emrave thuhet se do të publikohet në fund të janarit ose në fillim të shkurtit, pas sanksioneve që u shpallën ndaj disa serbëve të Kosovës, raporton agjencia boshnjake e lajmeve Patria.

Masterplani amerikan për Ballkanin bëhet e ditur se përfshinë një ndryshim të qeverisë në “Republika Srpska” në Bosnje dhe Hercegovinë, daljen në pension politik të Milorad Dodik dhe një ndryshim në Kushtetutën e BiH, si dhe sanksione kundër njerëzve kyç në rrethinën e Dodik.

“Një diplomat në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës serbe Blic se fillimisht ata që vendosen nën sanksione marrin një letër ku tregohen arsyet se pse janë vendosur në një listë të tillë”, shkruan Patria.

“Një person ka mundësinë të mbrohet. Të dorëzojë dokumentacion që flet në favor të tij dhe mohon akuzat ndaj tij. Nëse konstatohet se pretendimet për futje në listën e zezë nuk janë të justifikuara apo të dyshimta, ai person nuk do të sanksionohet”, pohon bashkëbiseduesi i “Blic”.

Lista e zezë gjithmonë përmban emrat e individëve, më së shpeshti nga bota e biznesit, të cilët Uashingtoni konsideron se kanë bërë biznes në mënyrë të paligjshme ose kanë shkelur të drejtat e njeriut, megjithatë, e gjithë kjo ka një kuptim më të gjerë.

Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç

Sanksionet janë të drejtuara kundër individit, por më së shpeshti janë një formë presioni apo mesazhi për disa politikanë dhe struktura të caktuara politike.

Biznesmenët, politikanët, por edhe familjarët e tyre dhe njerëzit e afërt, të cilët mund të jenë në listën e zezë, nuk kanë të drejtë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa kompanitë amerikane ndalohen të bëjnë biznes me ta.

Më tetë dhjetor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vënë sanksione edhe ndaj disa serbëve të Kosovës.

Serbi nga Kosova, Zvonko Veselinoviç bashkë me të vëllain e 10 persona të tjerë kanë hyrë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.

Emri i tij është përmendur shpesh kur bëhej fjalë për “të fortit” e pjesës Veriore të Mitrovicës, por së fundi Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara doli me një njoftim se këtyre personave u ka ndaluar hyrjen në SHBA.

Përveç Zvonko Veselinoviç, DASH ka njoftuar se ndalesa për të hyrë në SHBA u është vënë edhe Zharko Veselinoviç, të vëllait, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Po ashtu, më 17 dhjetor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ia ka ndërprerë kontratën për mirëmbajtje të rrugëve kompanisë së Radule Steviç, i cili është në listën e të sanksionuarve nga SHBA-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore