Shqipëria

Emoji dhe vetmi në kohët tona


Ndodh. Të jenë të pafundme opsionet e të komunikuarit e të ketë vetmi.

Se ka fjalë të shkruara, por jo të thëna me gjithë forcën e mimikës.

Ka emoji, por jo njohje të ndjesive, sido qofshin.

Mund të jetë e gjatë lista e emrave të shfaqura në ndonjë platformë online ama… sërish mund të bërtitet në heshtje “jam vetëm”.

Në kohë të vetmisë

Për psikologen Elona Braçja, vetmia është “e keqja e epokës”.

Ajo tregon për Albanian Post se ky emocion që të gjithë e ndjejnë të paktën një herë në jetë është bërë i kohës.

Dhe se, sado e pakuptimtë mund të ngjajë, “në një kohë kur komunikimi konsiderohet më i lehtë se ndonjëherë më parë, vetmia po prek gjithnjë e më shumë njerëzit”.

Braçja sqaron se ndjenja e vetmisë, ndryshe nga çfarë mund të mendohet, është e pavarur nga fakti nëse një person jeton vetëm apo me njerëz të tjerë.

Paçka kësaj, vetmia ka edhe efektet e veta ose ndryshe shenjat që lë te personi që e përjeton atë.

“Është gjendje kronike që na lodh nga aspekti emocional dhe ai psikologjik. Është shumë më shumë se sa thjesht të mos paturit miq. Është problem më i thellë, i shkaktuar nga mendimet dhe ndjenjat e papërshtatshmërisë dhe turpit”, zbulon ajo.

Sipas psikologes, ata që përballen me vetminë, shpesh në mendjen e tyre qarkullojnë mendime se është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh shoqëri apo të ndërtosh marrëdhënie shoqërore.

Nga ana tjetër, kjo ndjesi mund t’i atribuohet edhe faktorëve të brendshëm të tillë si vetëvlerësimi i ulët që kanë njerëzit për veten e tyre.

“Ata që nuk kanë besim në vetvete, shpesh mendojnë se janë të padenjë për vëmendjen apo respektin e të tjerëve. Mirëpo, diçka e kësaj natyre mund të çojë në izolimin dhe vetmi kronike”, thekson psikologia.

Rekomandimi i saj lidhet me të qenit larg izolimit. Kjo pasi është e vetmja rrugëdalje efektive për të njohur dhe kuptuar më mirë njerëzit e tjerë.

E gjitha për të njohur dhe kuptuar përmes diskutimeve   nëse dëshirohet shoqëria e atyre njerëzve me të cilët dikush ndërvepron.

Çka përbën interes, konsiston në faktin se vetmia mund të kapërcehet.

“Kërkon një përpjekje të vetëdijshme për të bërë një ndryshim. Bërja e një ndryshimi, në planin afatgjatë, mundëson ndikimin te të tjerët përqark në mënyrë pozitive”, vijon Braçja.

Ajo e përmbyll këndvështrimin e vet, duke këshilluar fokusim në zhvillimin e marrëdhënieve cilësore me të tjerët që ndajnë qëndrime, dhe vlera të ngjashme.

Magjia e fjalës

Në krahun tjetër, specialistët e komunikimit i hedhin sytë nga komunikimi verbal.

Valbona Micka e gjykon praninë e vetmisë në një botë të komunikimit të lirë si të lidhur ngushtë me zgjerimin e ndërveprimeve virtuale mes njerëzve.

Për të, në kohët tona, shumëçka mund të arrihet veç me një klik.

“Sot po mundim te prekim botën me një klik. Duket se jemi vënë në garë me kohën. Kaq shumë rendim të kapim ritmin sa po harrojmë të themi  fjalë të tilla si mirëmëngjesi apo të dua”, dallon ajo për Albanian Post.

Më e frikshmja prej këtyre anashkalimeve të komunikimit të përditshëm qëndron në idenë e harresës. Se si bashkëbiseduesit virtualë harrojnë se i foluri ballë për ballë nuk ka zëvendësim nga ilustrimet e platformave.

“Po harrojmë dalëngadalë qe shikimet tona nga ‘FaceTime’ dhe puthjet virtuale nuk mund të zëvendësojnë zërin e ngrohtë të një miku që të uron për arritjet e tua dhe as duart e dhembshura të nënës që të than lotët kur ndihesh keq”, ravijëzon Micka.

Sipas specialistes, çka po i mungon çdo ditë e më shumë komunikimit është fjala, fuqia e fjalës. E asaj fjale që thuhet ballë për ballë.

“Gjykuar në këtë kontekst, megjithëse rrugët e komunikimit tashmë janë të pafundme, ajo që në fakt mungon është magjia e fjalës e artikuluar drejtpërdrejt”, tregon ajo.

Prandaj dhe vetmia merr papritur jetë. Cek në bisedat e bashkëkohësve të virtuales dhe rrudh botën e tyre.

“Vetëm duke u parë në sy biseda është e ngrohtë dhe miqësore”, veçon specialistja e komunikimit.

Dhe se “kontakti fizik njerëzor, që gjithmonë e më shume po behet i largët, po bën që të gjithë të krijojmë atë botën tonë të madhe pa kufij, por të mbyllur në globin e vogël të vetmisë”.

Për të zbritur në kontekstin shqiptar, ajo tregon se vetmia e parë në bashkëjetesë me ndërlidhjen dhe ndërveprimin, është tanimë pjesë edhe e jetës sociale në Shqipëri.

“Kjo për shkak të gjithë argumenteve të përmendura më lart, por dhe prej këtyre viteve ‘sprovë’ për njerëzimin që patjetër kanë lënë gërvishtje në psikologjinë e brishtë të Shqiptarëve”, përmbyll Micka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore