Shqipëria

Emigrantët që do kthehen në Shqipëri – nuk do udhëtojnë më për në Britani, thotë ambasadori britanik


Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë,  Alastair King-Smith ka bërë me dije se emigrantët e paligjshëm që do të kthehen në Shqipëri nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë më në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano me të cilin diskutuan për të ndalur fluksin e emigrantëve që zgjedhin rrugët ilegale për të hyrë në Britani, ambasadori britanik dha mesazhin se nuk duhet të bien pre e propagandës së krimit.

“Shprehëm vendosmërinë e përbashkët për të ndaluar fluksin e emigrantëve të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës. Diskutuam realitetin që i pret të gjithë ata që mbërrijnë në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar. Emigrantët e paligjshëm nuk mund të sigurojnë punë të ligjshme”, shkruan King-Smith.

Ky njoftim erdhi pasi një javë më parë, një raport i inteligjencës zbuloi se katër në dhjetë emigrantë që kalojnë Kanalin me varka të vogla janë nga “Shqipëria paqësore, ku nuk ka pasur luftë për 25 vjet”.

Nëntë banda qëndronin pas 2 mijë e 863 emigrantëve që erdhën nga 1 qershori deri më 12 korrik. Prej tyre, 1 mijë e 75 ishin shqiptarë.

Raporti, i zbuluar ekskluzivisht nga “The Mail on Sunday”, pason një operacion survejimi nga Marina Mbretërore dhe ekspertët e inteligjencës së mbrojtjes të nëntë bandave kriminale që besohet se organizonin shumicën dërrmuese të kalimeve.

Është hera e parë që një raport zyrtar ekspozon se si pjesa më e madhe e atyre që bëjnë kalime të paligjshme duket se janë emigrantë ekonomikë që abuzojnë me sistemin bujar të azilit të Britanisë.

Analistët e inteligjencës ende nuk kanë një pasqyrë të plotë të aktiviteteve të bandave, sepse autoritetet franceze nuk po u tregojnë atyre se kur po ndalojnë me sukses përpjekjet për kalim.

Një nga mënyrat që trafikantët e qenieve njerëzore po reklamojnë shërbimet e tyre për t’i çuar emigrantët përmes Kanalit Anglez me gomone– duke paguar deri në 4 mijë e 500 paund për person, është media sociale TikTok

Madje, shqiptarët duken edhe më “seriozët” në rrjet mbi këtë çështje.

Më 3 gusht, Albanian Post e pasqyroi situatën, duke dhënë edhe prova se si profile të tëra në Tik Tok i dedikohen këtij fenomeni.

Kontaktet bëhen nëpërmjet vetë aplikacionit të Tik Tok-ut apo numrit të telefonit.

Video, të shpërndara në mediat sociale, tregojnë gomonet mbi të cilat shtrydhen emigrantët e paligjshëm, ndërsa negociojnë udhëtimin prej 21 miljesh detare.

Postimet në Tik Tok përfshijnë datat e kalimeve dhe pamjet e njerëzve që largohen nga Franca dhe ata të cilët hyjnë në varka.

Video të tjera të shumta vazhdojnë të transmetojnë se sa të ngushta mund të bëhen varkat e vogla me emigrantët të veshur me jelek shpëtimi.

Forcat Kufitare britanike shihen në sfond gati për të përgjuar anijet dhe për të shpëtuar udhëtarët nga krahu tjetër.

Një burim, i tha Albanian Post se “ka video të njerëzve që tregojnë se si t’i kontaktojnë”.

“Është shumë e lehtë, me një kërkim të thjeshtë në Tik Tok siguron një rrugë për në Angli. Nëse është kaq e lehtë për mua, atëherë pse autoritetet nuk po bëjnë diçka për këtë?”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore