Shqipëria

Emetohet Eurobondi: Shqipëria merr borxh 650 milionë euro


Shqipëria ka siguruar emetimin e një Eurobondi me vlerë 650 milionë euro dhe me një normë interesi prej 3.75%, pas daljes së saj në tregjet ndërkombëtare në fillim të muajit nëntor.

Shuma fillestare e kërkuar nga Qeveria ishte ndërmjet 500 dhe 700 milionë euro. Por, duket se shuma përfundimtare, i është afruar vlerës më të lartë.

Kërkesa nga investitorët ka qenë e lartë, duke e kthyer ekonominë shqiptare në një faktor me besueshmëri të lartë në tregje.

Mirëpo, vlera, nuk është siguruar me normën më të favorshme që ka përfituar ndonjëherë Shqipëria.

Në dy herë të mëparshme, vitet 2018 dhe 2020, norma e interesit ishte në 3.5%.

Vlera ndërkaq, është e krahasueshme vetëm me atë të vitit 2020, ku shuma ishte po në 650 milionë euro borxh të emetuar.

Në 2018-ën, Shqipëria mori 500 milionë euro borxh me 3.5% normë interesi dhe afat maturimi shtatë vjeçar.

Ky Eurobond, ashtu si i deklaruar më herët, pritet të shlyejë një pjesë të borxhit të huaj dhe të financojë deficitin buxhetor.

Prej vitit 2010, ky është Eurobondi i pestë që Qeveria emeton. Në tërësi, vetëm prej tyre, janë emetuar 1.8 miliardë euro, nëse llogaritet edhe ai i sotshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore