Shqipëria

Emërohet anëtarja e shtatë e Kushtetueses


Presidenti Ilir Meta ka emëruar anëtaren e shtatë të Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja, pas marrjes së listës përfundimtare të renditjes së kanditatëve nga Këshillimi i Emërimeve në Drejtësi.

Sipas listës së KED-së, Bejtja është renditur e para me 76.83 pikë.

Noterja ka një eksperiencë 18 vjeçare në fushën e drejtësisë. Prej prillit të 2001-shit ajo është e regjistruar në Degën Vendore të Noterëve Tiranë. Ajo gjithashtu është e kualifikuar si avokate dhe e regjistruar pranë Dhomës Kombëtare të Avokatëve që prej 2001-shit.

Emërimi i Bejtjas vjen pas një vakance të parakohshme që ka lënë ish-anëtari i gjykatës kushtetuese, Besnik Muçi.

Gjatë javës së kaluar, Meta dekretoi anëtarin e pestë, Altin Binaj, dhe anëtarin e gjashtë Përparim Kalo, duke e bërë kështu funksionale Gjykatën Kushtetuese pas tre vitesh ngërç.

Palët politike janë vënë përgjatë kësaj periudhe nën presion të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka shtyrë fort për ngritjen e institucionit brenda vitit.

Plotësimi i vakancave të Kushtetueses ka qenë dhe kriteri themelor për fillimin e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian.

Vetë ndërkombëtarët u shprehën entuziastë për fillimin e punës së Kushtetueses. Ndërkohë krerët politikë shqiptarë u shfaqën më të rezervuar. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ishte e para që reagoi, duke e cilësuar një hap shumë të mirë fillimin e punës së Gjykatës.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi vetëm tre ditë më vonë në lidhje me çështjen. Në një takim me studentë të drejtësisë, ai theksoi se lajmi “ishte i mirë, por shumë i vonuar”.

Ndërkohë nga kryeministri Edi Rama nuk ka pasur ende asnjë reagim mbi plotësimin e kuorumit minimal të Kushtetueses.

Me emërimin e Sonila Bejtjas si anëtare e shtatë, mbeten edhe dy vente vakante për plotësimin e kuotës tërësore prej nëntë gjykatësish./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore