Lajme

Elon Musk tërhiqet nga blerja e Twitter


Nuk ka më ujdi mes multimiliarderit Elon Musk dhe kompanisë së medias sociale Twitter.

Paaftësia e kësaj të fundit për të garantuar numrin e ulët të profileve fiktive ka bërë që Musk të heqë dorë përfundimisht nga investimi i tij 44 miliardë dollarësh, duke mos e kompletuar kështu transaksionin me gjigandin e medias sociale.

Kështu, saga disa-mujore për Twitter-in, merr një kthesë të beftë dhe një fund të hidhur.

Me këtë vendim gjithsesi, më i humburi mund të dalë Musk, pasi mund të përballet me një klauzolë prej 1 miliard dolarrësh, duke qenë se është tërhequr nga blerja.

Në muajin maj, ishte vetë manjati i teknologjisë, ai i cili tha se e kishte ngrirë përkohësisht ujdinë me kompaninë, pasi po priste verifikimin e profileve fiktive nga ana e Twitter.

Shifra e pranueshme për të, ishte prej 5%. Pra, vetëm kjo përqindje e profileve inaktive apo të rreme mund të ishte e lejueshme nga totali, në mënyrë që ai të përfundonte blerjen e kompanisë.

Po në këtë skenar, me një letër të hapur publike, Musk deklaroi se ishte Twitter-i, që nuk e kishte përmbushur marrëveshjen dhe e kishte detyruar të hiqte dorë atë.

Stoqet panë menjëherë lëkundje marramendëse, duke e nxjerrë kompaninë që në orët e para pas deklaratës me rreth 7% të vlerës totale.

Musk nga ana tjetër, në gjithë platformën, është kthyer në një prej njerëzve më të ndjekur që pas deklarimit se do të blinte kompaninë.

Ai numëron mbi 100 milionë ndjekës aty dhe është platforma e vetme, të cilën e përdor rregullisht për të shprehur mendimet e veta.

Tashmë duhet të shihet se si tregu, por mbi të gjitha se si platforma vetë, do të reagojnë nga “ndarja” e Musk…të paktën ajo kontraktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore