Kosova

Elon Musk sugjeron qasje të njëjtë për Ukrainën si Kosova


Sipërmarrësi më i pasur i teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, Elon Musk ka bërë një propozim tjetër pas atij me katër pika për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në platformën e medias sociale “Twitter”, Musk sugjeron që rajonet e aneksuara të Ukrainës nga Rusia të vendosin fatin e tyre përmes votës.

Kjo, nën mbikëqyrjen e OKB-së (ose duke zgjedhur entitetin ose vendin më të besuar të Ukrainës).

Lajmi u bë i ditur gjatë një debati virtual mes tij dhe këshilltarit të Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak.

“A po përpiqeni të legjitimoni pseudoreferendumet që u zhvilluan nën kërcënimin e armëve në kushtet e persekutimit, ekzekutimeve masive dhe torturave? Rrugë e gabuar”, shkruan Podolyak.

Musk i sugjeron zyrtarit ukrainas, ndoshta, një qasje të ngjashme me Kosovën.

Në statusin e tij, sipërmarrësi bashkëngjit dhe linkun e enciklopedisë “Britannica”, duke cituar Pavarësinë e Kosovës.

Statusi

Një status i parë i Musk, i hapi rrugën debatit të fortë në Twitter lidhur me propozimet e tij – sipas ndjekësve – pro-ruse.

Fillimisht, sipas Musk, duhen ribërë zgjedhjet e rajoneve të aneksuara nën mbikëqyrjen e OKB-së.

“Rusia largohet nëse ky është vullneti i popullit”, shkruan sipërmarrësi në Twitter.

Së dyti, Krimea zyrtarisht pjesë e Rusisë, siç ka qenë që nga viti 1783, vijon Musk.

Në radhë të tretë, ai propozon që të sigurohet furnizimi me ujë në Krime.

Së fundi, Ukraina mbetet neutrale, shkruan Elon Musk.

Para se të fshihej statusi i sipërmarrësit numëronte rreth 1.3 milionë vota në sondazhin e tij virtual – 60 për qind prej tyre nuk e mbështesnin propozimin e Musk.

Reagimet

Në përgjigje të sondazhit të Musk, këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak propozoi një tjetër sondazh.

“Ukraina çliron territoret e saj, duke përfshirë Krimenë e aneksuar. Rusia po kalon çmilitarizimin dhe denuklearizimin e detyrueshëm dhe nuk mund të kërcënojë më të tjerët. Kriminelët e luftës i nënshtrohen një gjykate ndërkombëtare”, janë tre pikat e Podolyak-ut.

Për propozimin e Musk ka reaguar edhe Andriy Melnyk, i cili largohet nga posti i ambasadorit në Gjermani.

Ish-diplomati ukrainas i kërkoi Musk që të “vejë në djall” dhe deklaroi se asnjë ukrainas nuk do t’i blejë “katrahurat e Tesla-s së tij”.

Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hapi një tjetër sondazh.

Ai pyeste në statusin e tij, se cili “Elon Musk” është më i pëlqyeshëm: Ai që mbështet Ukrainën, apo ai që mbështet Rusinë.

Starlink

Në mesin e ushtrisë ukrainase, Elon Musk, shpesh quhet me gjysmë shaka si “Shën Elon”.

Arsyeja është Starlink, sistemi i komunikimit satelitor i Musk që mban në linjë shumë ukrainas, më e rëndësishmja ushtrinë, pavarësisht ndërprerjeve të energjisë dhe sulmeve të Rusisë në infrastrukturën e internetit të vendit.

Starlink lejon aksesin në internet edhe gjatë ndërprerjeve të energjisë ose në mungesë të infrastrukturës tjetër të internetit.

Është gjithashtu më i sigurt se llojet e tjera të komunikimit: Ekspertët thonë se është pothuajse e pamundur që trupat ruse të përgjojnë.

Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, Ukraina ka marrë më shumë se 20 mijë terminale Starlink nga partnerë të huaj, vullnetarë ose direkt nga SpaceX, prodhuesi i anijeve kozmike të Musk që operon Starlink.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore