Lajme

Elon Musk si kurrë më parë flet për BBC: Të zotërosh Twitter-in, është goxha e dhimbshme


Ditët e fundit, replikat mes miliarderit Elon Musk dhe medias shtetërore britanike BBC, kanë qenë epiqendër e vëmendjes mbarëbotërore, kur shefi i Twitter-it vendosi që ta etiketojë gjigandin mediatik si “të financuar nga Qeveria”.

Mirëpo, batutat mënjanë, pikërisht për BBC-në, Muks ka dhënë një ndër intervistat më të hapura, ku ka folur për zhvillimet që prej kohës kur ai mori në dorën median sociale bojëqielli, e deri tek raportet me mediat dhe etiketimet që i bëhen atij tashmë, shpesh herë të paqena, apo angazhimin me Inteligjencën Artificiale.

“Është goxha e dhimbshme të jesh shefi i Twitter”, përsëriti Musk disa herë, duke artikuluar se kompania mezi ia del të përmbushë nevojat e veta, pasi fitime nuk gjeneron prej kohësh.

Pavarësisht kësaj, edhe pse e ka blerë Twitter-in me një vlerë mbi atë çfarë parashikonte, ai nuk do ta shiste sot, nëse e njëjta shumë do t’i ofrohej.

Kohët kanë ndryshuar për median sociale dhe nga 8 mijë punonjës që ishin përpara epokës Musk, tashmë vetëm 1 mijë e 500 kanë mbetur.

Kjo ka çuar në vështirësi të shumta për shërbimet, por ka hapur edhe mundësi për të bërë mirë.

Fjala bie, një prej godinave ku punonjësit zhvillonin aktivitetin e tyre, duhet të kthehet në një qendër për të pastrehët, sipas Musk.

Epoka është sigurisht e tij, me zhvillimet edhe në Tesla, apo SpaceX, por është edhe i Inteligjencës Artificiale.

Mbi këtë të fundit, nevoja për të pasur një rregullator është emergjente, në bazë të asaj që Musk tha.

“Na duhet të kemi instrumente rregullatore, për të bërë të mundur që këto sisteme, të mos e cenojnë sigurinë e publikut”, ravijëzoi Musk disa herë, i pyetur gjatë intervistës.

E gjitha, sepse sot është bërë shumë e vështirë të kuptohet se çfarë vërtetë është reale dhe çfarë jo.

E njëjta fjali vlen edhe për Twitter-in, i cili mund të thuhet lehtësisht se është në fazë eksperimentale tashmë dhe duhet t’i sprovojë vetes se çfarë funksionon e çfarë jo.

Megjithatë, përfundimi është i qartë.

“Asnjë sistem nuk do të jetë ndonjëherë perfekt”.

Ky është përkufizimi me të cilin Musk e mbyll të gjithën, me shpresën se qëllimet e Twitter për të qenë platforma më e përpiktë në realizimin e ngritjes në piedestal të fjalës së lirë, së bashku me sigurinë e informimit dhe luftimin e “fake news”, do të arrihen një ditë.

Por deri atëherë, asgjë nuk do të jetë e përkryer…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore