Pajisje

Elon Musk ka përcaktuar synimet e Starlink-ut


Themeluesi i SpaceX-it, Elon Musk, ka pretenduar se sistemi i tij satelitor i internetit i quajtur Starlink do të jetë në gjendje prej muajit gusht që të sigurojë një lidhje nga kudo përveç poleve.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se Musk-u reagoi teksa rivali i tij, OneWeb, siguroi fondet që i duhen për të përfunduar konstelacionin e gjeneratës së parë të satelitëve 648.

Për sa i përket lidhjes, klientët e Starlink-ut lidhen duke përdorur marrës të vegjël satelitorë, të quajtur Dishy McFlatFace, me një çmim prej 500 dollarë. Mirëpo, Musk-u ka njoftuar se terminalet kushtojnë më shumë se një mijë dollarë.

I shfaqur në një lidhje në distancë, në Kongresin Botëror të Telefonisë, i cili po mbahet fizikisht në Barcelonë dhe gjithashtu në internet, Musk-u deklaroi se Starlink-u “ka kaluar numrin e dukshëm strategjik të 69 mijë e 420 përdoruesve aktivë”.

Ndërkohë, ai shpresonte të kishte 500 mijë përdorues brenda 12 muajve.

Musk-u ka bërë me dije se kompania e tij kishte dy partneritete me kompanitë e “vendeve kryesore”, të telekomunikacionit. Dhe se Starlink-u ka ndihmuar kompanitë të plotësojnë kushtet e licencës së tyre 5G, të cilat kërkojnë furnizimin e mbulimit për klientët rurale.

Deri më tash, SpaceX-i ka lëshuar afro 1 mijë e 800 satelitë në orbitë dhe shpreson të ketë 12 mijë të tillë në qiell deri në vitin 2026.

Ndër të tjera, shefi ka pohuar se fuqia diellore e kombinuar e satelitëve ka prodhuar pesë megavat energji elektrike.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Starlink-u e nisi një provë të shërbimeve të veta gjatë muajit janar, pasi Ofcom-i i siguroi asaj një licencë në muajin nëntor.

Lidhur me rivalin e tij, OneWeb-in, ai është pjesërisht në pronësi të taksapaguesve në Mbretërinë e Bashkuar. Kompania numëron 218 satelitë në orbitën e ulët të Tokës dhe pritet të lëshojë 36 të tjerë të enjten e një korrikut.

BBC tregon se së shpejti, OneWeb-i pritet të nisë të ofrojë shërbime komerciale të internetit, duke mbuluar gjerësi gjeografike mbi 50 gradë në veri.

Gjithashtu gjatë këtij muaji, OneWeb-i dhe BT-ja, nënshkruan një marrëveshje për të eksploruar mënyra për të siguruar internet me brez të gjerë në zonat e largëta të Mbretërisë së Bashkuar dhe në det.

Por edhe Amazon-i planifikon të nisë një konstelacion të satelitëve të ulët të orbitës së Tokës për të siguruar akses me brez të gjerë në zonat e thella, si pjesë e projektit të tij, Kuiper.

Sipas BBC, marrë shkas nga këto lëvizje të kompanive, astronomët kanë ngritur shqetësime në lidhje me ndotjen e dritës dhe ndërhyrjet e tjera të shkaktuara nga këto yje të satelitëve të ulët të orbitës së Tokës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore