Stil

Ellen DeGeneres i jep fund shfaqjes së saj pas 19 vitesh


Ellen DeGeneres, Pink, Billie Eilish dhe Jennifer Aniston

Ellen DeGeneres i dha një lamtumirë të përlotur emisionit të saj 19 vjeçar gjatë ditës të enjte, duke thënë se shfaqja kishte “ndryshuar përgjithmonë jetën e saj”.

DeGeneres hapi orën e fundit të “The Ellen DeGeneres Show” duke diskutuar përparimin që ishte bërë që nga premiera e shfaqjes në vitin 2003.

Ajo theksoi se në fillimet e saj nuk mund të fliste lirshëm për komunitetin LGBT në shfaqje, ose t’i referohej Portia de Rossi-t si gruaja e saj, sepse martesa e homoseksualëve nuk ishte e ligjshme.

“Tani them grua gjatë gjithë kohës”, tha ajo.

Duke vënë në dukje se shfaqja kishte rezistencë dhe se pakkush i dha mundësinë për të mbijetuar, DeGeneres premtoi se nuk do të largohet për shumë kohë nga ekrani.

“Sot nuk është fundi i një lidhjeje, është më shumë një pushim i vogël”, tha ajo. “Ju mund të shihni emisione të tjera talk tani”.

Programi kishte shumë klipe nga 3 mijë e 200 episodet e shfaqjes, duke përfshirë këtu edhe falënderimin e saj të përlotur pas regjistrimit të episodit të parë, si dhe momente të tjera kryesore të karrierës së saj, si pritja e “Oscars” dhe marrja e çmimit “Mark Twain” dhe “Medaljes Presidenciale të Lirisë”.

Të ftuarit e DeGeneres përfshinin Jennifer Aniston, e cila ishte e ftuara e saj e parë kur shfaqja bëri debutimin. Aniston i dha asaj një tapet mirëseardhjeje ku shkruhej “Faleminderit për kujtimet”. Java e fundit përfshinte një vizitë nga Oprah Winfrey, e cila foli për aspektin familjar të një shfaqjeje të gjatë.

Të ftuar të tjerë ishin Billie Eilish dhe Pink. “Ju i ndihmoni njerëzit të gjejnë gëzimin e tyre”, tha Pink, e cila edhe performoi.

DeGeneres falënderoi stafin dhe producentët e saj, si dhe audiencën e saj besnike. “Nëse kam bërë ndonjë gjë në 19 vitet e fundit, shpresoj të të kem frymëzuar të jesh vetvetja – vetja juaj e vërtetë, autentike”, tha ajo.

Në episodin e fundit nuk u përmend asnjë nga polemika që ka lindur në lidhje me shfaqjen vitet e fundit, duke përfshirë raportet e një kulture toksike që e shtyu DeGeneres t’i kërkonte falje stafit të saj në vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore