Muzikë

Elhaida Dani prezanton albumin ‘ZanIn’ në TKOB


“Me Elhaida Dani-n për t’i dëgjuar ‘ZanIn’. E lumtur për rritjen e saj profesionale, nga një vajzë që me guxim garoi në një talent show të huaj, duke treguar se Shqipëria ka talente”, këto janë fjalët e ministres së Kulturës, Elva Margariti, për artisten shqiptare.

Elhaida ka performuar mbrëmjen e 20 shtatorit cover-in e albumit “ZanIn”, të cilin ka zgjedhur ta prezantojë për herë të parë mes miqsh e bashkëpunëtorësh, në sallën e koncerteve të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Gjatë aktivitetit, këngëtarja ka falënderuar bashkëpunëtorët e saj për realizimin e albumit.

“‘ZanIn’ është projekti im më i ri muzikor me 5 këngë dhe 5 klipe të punuara me aq dashuri dhe me aq përkushtim nga bashkëpunëtorët më të mirë që mund të kisha. Ata janë Elgit Doda, Kledi Bahiti dhe Alban Kondi, të cilët janë bashkuar për herë të parë për të punuar në këtë projekt dhe për mua kanë bërë një mrekulli”, u shpreh ajo.

“Elhaida mori pjesë në ‘The Voice of Italy’ dhe fitoi, edhe pse nuk ishte italiane. Sepse talenti është mbi gjithçka. Patjetër, italianët thanë: ‘Është shqiptare, nuk mund të fitojë’. Por zëri dhe shpirti i saj bënë që ajo të fitonte”, tha mes emocionesh kantautori italian Riccardo Cocciante, i cili ishte i ftuari special i saj.

Artistja u rikthye në Tiranë në verë, me një qëllim të caktuar: Të sillte një projekt muzikor edhe për publikun shqiptar, pas suksesit që kishte korrur në Itali në “The Voice”, apo me rolin e mrekullueshëm të Esmeraldës në muzikolin “Notre Dame De Paris”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore