Lajme

Elezi: Një mijë e 90 votues kanë të drejtë për të votuar sërish në Dragash


Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Numri i votuesve nga diaspora me të drejtë vote për të votuar sërish për kryetar të komunës së Dragashit është një mijë e 90.

Këtë e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Numri i votuesve nga diaspora me të drejtë vote për të votuar sërish për kryetar të komunës së Dragashit është një mijë e 90”, deklaroi Elezi.

Ai ka thënë se të drejtën për të votuar përmes postër sërish, e kanë vetëm votuesit të cilit janë regjistruar si votues jashtë Kosovës për periudhën 10 korrik më 18 gusht.

“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”.

Ilustrim: Votat nga diaspora.

Ndërsa, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Arianit Elshani, në KQZ ka theksuar se duhet të hetohet pse disa votues kanë aplikuar nga shtete tjera e kanë dërguar vota nga shtete tjera perëndimore.

Elshani ka kërkuar “verifikim më të mirë të votuesve nga diaspora”.

Kurse, Florian Dushi, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në KQZ, ka thënë se 27 nëntori do të ishte data më ideale për të filluar procesin e votimit nga diaspora.

“Data 26 është e hershme derisa 29 është e vonshme. Prandaj edhe pse nuk preferohet por data 27 do të ishte me ideale në mënyrë që edhe qytetarët nga diaspora të kenë mundësi të votojnë edhe në vikend”.

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit.

Kështu është bërë e ditur në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet në aktgjykim.

PZAP kishte aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të raundit të dytë në komunën e Dragashit, pasi që PZAP mori vendim për anulimin e të gjitha fletëvotimeve të dorëzuara përmes postës për kryetar të kësaj komune.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore