Lajme

El Salvador – ‘Shtëpia e Tmerreve’ trondit vendin


El Salvador vuan prej kohësh nivelet e larta të krimit të dhunshëm në vend. Çështja “Osorio” dhe “Shtëpia e Tmerreve” kanë tronditur publikun.

Britmat e një gruaje në lagjen e Chalchuapa-s, një qytet i vogël 80 kilometra larg San Salvador-it, ishte momenti kur fqinjët parandien se diçka nuk po shkonte.

Jacquelinne Palomo Lima, 26 vjeç, dhe nëna e saj ishin joshur në banesën e një njeriu që jetonte aty pranë.

Polici i pensionuar 51-vjeçar, Hugo Osorio, u kishte premtuar atyre informacion në lidhje me vëllain e zhdukur të Palomos, Alexis.

Kjo, sipas dëshmisë që ka dhënë një anëtar i afërt për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Fqinjët thirrën policinë kur dëgjuan britmat e Palomos natën e 7 majit, ndërsa ajo u arratis nga shtëpia kur Osorio dyshohet se e goditi në kokë me një tub metalik dhe e tërhoqi përsëri brenda.

Në kohën kur autoritetet mbërritën, trupat e Palomo-s, vëllait dhe nënës së saj u gjetën, së bashku me 14 kufoma të tjera të zbuluara fillimisht në një varr masiv pas shtëpisë, tha ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë, Gustavo Villatoro më 20 maj.

Trupat e tjerë

Ka pasur shumë trupa të tjerë të varrosur në pronë, mendohet se i ka rrëfyer Osorio policisë në një rrëfim të botuar më 12 qershor.

Mund të ketë deri në 40 trupa gjithsej në disa varre, sipas hetuesve.

Osorio u akuzua më 12 maj për dy akuza për femicid – një term i përdorur për vrasje që synojnë qëllimisht gratë – prokurorët më vonë shtuan dy akuza për vrasje.

Të paktën nëntë persona të tjerë janë akuzuar gjithashtu për vrasje të rëndë dhe femicide në lidhje me krimet.

Në këmbim të dëshmisë dhe bashkëpunimit të tij në nëntë nga rastet që përfshinin bashkëpunëtorë dhe të dyshuar të tjerë, prokurorët i ofruan Osorio-s një marrëveshje që ata i referoheshin si “mundësi e njëanshme”.

Ata nuk dhanë asnjë informacion tjetër në lidhje me atë marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore