Lajme

Ekstradohet gruaja e akuzuar për 74 akuza seksuale


Autoritetet izraelite kanë ekstraduar një grua, e cila akuzohet për 74 akuza të abuzimit seksual me fëmijë në Australi.

Kjo betejë ligjore gjashtë vjeçare kishte acaruar marrëdhëniet midis dy qeverive.

Malka Leifer, i cila akuzohet me 74 akuza të abuzimit seksual të fëmijëve në Australi, u nis me avion herët të hënën, vetëm disa orë para se Izraeli të mbyllte aeroportin e tij ndërkombëtar, për shkak të një shpërthimi të furishëm të coronavirus-it.

Media izraelite fotografoi Leifer-in duke hipur në një aeroplan në Aeroportin Ben Gurion, me kaviljet dhe kyçet të prangosur. Ekstradimi u konfirmua nga avokati i saj, Nick Kaufman.

Ish mësuesja dhe drejtoresha 52 vjeçare kishte luftuar ekstradimin nga Izraeli që nga viti 2014. Ajo akuzohet për abuzim seksual me disa ish-studentë në një shkollë hebraike në Melburn midis viteve 2004 dhe 2008.

Leifer ka deklaruar pafajësinë e saj. Çështja e zgjatur gjyqësore së bashku me vonesat e përsëritura për ekstradimin e saj tërhoqën kritika nga zyrtarët australianë si dhe nga udhëheqësi hebre i vendit.

Faqja e lajmeve në gjuhën hebraike, Ynet, raportoi se ajo hipi në një avion për në Gjermani, ku pastaj do të transferohet në Australi.

Tre motrat, Dassi Erlich, Nicole Meyer dhe Elly Sapper, kanë akuzuar Leifer-in për abuzim seksual, ndërsa ishin studente në një shkollë hebraike të Melburnit. Thuhet se ka edhe viktima të tjera. Motrat kanë folur publikisht për pretendimet e tyre kundër Leifer-it.

Manny Waks, kreu i Zërit kundër Abuzimit Seksual të Fëmijëve, një organizatë që përfaqëson viktimat e Leifer, tha në një deklaratë se “kjo është një ditë madhe për drejtësinë.”

“Tani mund të presim me të vërtetë që Leifer të përballet me drejtësinë në Australi për 74 akuzat me të cilat përballet”.

Njëra nga motrat e dhunuara shkroi në faqen e saj në Facebook, “Leifer është në aeroplan për në Australi”.

Maratona e ekstradimit.

Akuzat kundër saj filluan të dilnin në sipërfaqe në 2008. Leifer, me origjinë nga Izraeli la shkollën ku po punonte dhe u kthye në vendlindje. Kritikët, përfshirë viktimat e pretenduara të Leifer-it, kishin akuzuar autoritetet izraelite për zvarritjen e çështjes.

Leifer pretendonte se ajo ishte mendërisht e paaftë për t’u gjykuar.

Policia izraelite gjithashtu ka hedhur akuza për mashtrim dhe shkelje të besimit ndaj ish-Ministrit të Shëndetësisë, Yaakov Litzman, për dyshimet se ai u bëri presion punonjësve të ministrisë për të anashkaluar vlerësimet psikiatrike të Leifer në favor të saj.

Litzman, një politikan i fuqishëm hebre, i mohon akuzat.

Vitin e kaluar, një panel psikiatrik izraelit thanë që Leifer po gënjente për gjendjen e saj mendore. Kështu u vu në lëvizje ekstradimin.

Në dhjetor, Gjykata e Lartë, refuzoi ankesën përfundimtare kundër ekstradimit të saj dhe ministri i drejtësisë i Izraelit nënshkroi urdhrin për ta dërguar atë në Australi.

Avi Nissenkorn, ish-ministri i drejtësisë i Izraelit, i cili kishte nënshkruar urdhrin e ekstradimit, shkroi në Twitter: “Unë premtova se nuk do të pengoja urdhrin e ekstradimit dhe kjo është ajo që kam bërë. Viktimat e Malka Leifer-it më në fund do të fitojnë një akt drejtësie. ”

Prokurori i Përgjithshëm i Australisë, Christian Porter, e quajti vendimin për ekstradimin e saj një “moment historik i rëndësishëm që duhet t’u sigurojë viktimave të pretenduara disa shpresë”. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore