Lajme

Ekspozita “Portrete d’Exil” në Francë, mes tyre një shqiptar


Në 70-vjetorin e Konventës së Gjenevës mbi statusin e refugjatëve dhe 40-vjetorit të shoqatës Forum Réfugiés-Cosi, artistja Catherine Van den Steen ka ekspozuar portrete të refugjatëve.

Ajo u bën homazh grave dhe burrave në mërgim dhe mbart një mesazh shprese dhe solidariteti duke i quajtur “Portrete d’Exil”.

Mes portreteve të përzgjedhura nga Van den Steen është edhe ai i shqiptarit Armand Hasanpepaj.

Shqiptari Armand Hasanpepaj, mërgoi në Francë kur ishte 16 vjeç.

Ai u vendos në Lion pa e ditur se jeta atje do të sillte një tjetër Armand, atë të një shefi kuzhine që e ka pasion të trashëguar nga nëna e tij.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Hasanpepaj përmes Facebook-ut.

Ai ka postuar një foto përkrah portretit të tij në ekspozitë.

“Shumë i lumtur që jam ndër 20 portretet në të gjithë Francën, të realizuara nga Catherine Van Den Steen, Portait d’exil 2021″, shkruan ai.

Në vijim, Armandi shpreh dhe falenderimet “për këtë punë të mrekullueshme”.

Po ashtu bën me dije se “ju mund t’i shihni këto vepra arti në Hotel de Ville Lyon, ende të disponueshme sot dhe nesër. Këto portrete janë të destinuara për të ecur në rrugën e të gjithëve, kaq të vështira dhe kaq të ndryshme, por mbi të gjitha shumë të guximshme”.

Hasanpepaj mbyll statusin e tij me mesazhin motivues “Besoni në veten tuaj, besoni në ëndrrat tuaja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore