Shqipëria

Eksploziv në Fushë-Krujë, në banesën e vëllait të Enver Stafukës


Një shpërthim i një sasie eksplozivi ka ndodhur natën e 21 janarit në Fushë-Krujë, në katin përdhes të një pallati, ku në kat të tretë mësohet se banon Naim Stafuk, vëllai i Enver Stafukës, i cili është rrëmbyer që prej vitit 2015 dhe ende nuk dihet asgjë mbi jetën e tij.

Lënda plasëse është vënë në derën e shkallëve të objektit, ku ka disa biznese. Më përkatësisht, lënda është vënë tek hyrja e një lokali.

Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale, ndërsa Policia ndodhet në vendngjarje për të verifikuar rrethanat.

Emri i Stafukës ka qenë i lakuar gjatë, pas një rrëmbimi që iu bë në vitin 2015, nga disa persona të veshur si efektivë policie.

Vetëm pak ditë më parë, më 9 janar, pre e një sulmi me armë ka qenë edhe Gentjan Bejtja, i cili në vitin 2013, së bashku me Stafukën, ka qenë i akuzuar për vjedhjen e një makine, e cila qe përdorur në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore