Lajme

Eksperti kroat: Vuçiç “shpërblehet” nëse arrinë marrëveshje me Kosovën – kthehet sërish kah Mali i Zi


Davor Gjenero

Analisti kroat nga Zagrebi, Davor Gjenero, në një intervistë për portalin malazez “Analitika“, tha se disa aktorë të Bashkimit Evropian po mendojnë t’i japin kompensime të caktuara Serbisë, në mënyrë që të pajtohet për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë me Kosovën.

Proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Mali i Zi, që sipas tij janë më të rrezikshmet për sovranitetin dhe perspektivën evropiane të këtij vendi që nga rivendosja e pavarësisë, lidhen pikërisht me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjenero, kur është pyetur nëse Mali i Zi është dëm kolateral i zgjidhjes së “çështjes” së Kosovës, theksoi se së fundmi një diplomat i madh, nga të paktët që ende merret sistematikisht me Ballkanin Perëndimor, i tha se në këtë rajon një problem zgjidhet, ndërsa në të njëjtën kohë krijohet një problem i ri.

“Në të njëjtën kohë ai nënkuptonte rrezikun e krijuar në negociata me këmbënguljen e BE-së për formimin e asaj që [Aleksandër] Vuçiç e quan Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, por kjo është edhe më e vërtetë për politikën ndaj Malit të Zi”, theksoi Gjenero.

Ai nënvizoi se tani që regjimi në Beograd po tregon shenjat e para se është i gatshëm të kufizojë deri në njëfarë mase marrëdhëniet me Rusinë dhe të paktën të diskutojë zgjidhjen e konfliktit të ngrirë me Kosovën, presidentit serb po i hapen zona të reja ndikimi si kompensim, si shpërblim.

“Nga një regjim që shkatërroi institucionet demokratike dhe shpërbëu shoqërinë në vendin e vet, nuk duhet pritur që ai të udhëheqë një politikë tjetër në një vend që e sheh si pre e tij perandorake”, deklaroi ai.

“Prandaj, duke hapur një dritare të ndikimit serb në Mal të Zi, hapet rruga për shpërbërjen e plotë të demokracisë parlamentare dhe të sistemit partiak në Mal të Zi, për heqjen e ndarjes funksionale të pushtetit, për heqjen e plotë të lirisë së medias të cilat ende po i mbijetojnë pushtimit të mediave nga Serbia”, shtoi Gjenero.

Ndërkaq, ai potencoi se fitorja e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, në zgjedhjet presidenciale do të siguronte një lloj vazhdimësie të politikave evropiane dhe euroatlantike dhe do të konfirmonte se populli i Malit të Zi, më së shumti e përkrah projektin e evropianizimit të vendit të tyre.

“Disfata e tij dhe fitorja e opsionit klerik nën ndikimin e Beogradit do të nënkuptonte vazhdimin e bllokadës së procesit të anëtarësimit, vazhdimin e trajtimit të Malit të Zi si një partner euroatlantik jo të besueshëm dhe do të rriste pasigurinë gjeopolitike në Ballkan”, pohoi Gjenero.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore