Lajme

Ekspertët rusë largohen nga vendi pasi “po shkon drejt humerës”


Ekzekutivi rus i teknologjisë, Ilya Krasilshchik, paketoi me nxitim tre valixhe, hipi në avion dhe u nis për në Dubai, pa asnjë plan dhe pa asnjë ide se çfarë do të ndodhte më pas. Gjithçka që donte ishte të linte vendin “pasi po shkon drejt humnerës”, tha ai.

Krasilshchik është një nga dhjetëra mijëra rusët që janë larguar nga vendi ditët e fundit, duke kërkuar t’i shpëtojnë efekteve spirale të pushtimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin, nga sanksionet perëndimore.

“Vendi ku kemi jetuar është shkatërruar. Çfarë e ardhme ka për një vend ku çekistët kanë marrë pushtetin?” tha ai për Financial Times, duke iu referuar fjalës sovjetike për shërbimet e sigurisë.

“Unë besoj se një vend i tillë nuk ka të ardhme. Gjithçka që mund të bëjë është të mbijetojë”.

Vala e emigrimit, nëse është e përhershme, do të dëshmojë një zvarritje të konsiderueshme afatgjatë në një ekonomi tashmë të goditur nga sanksionet që kanë gjymtuar tregun e aksioneve dhe monedhën e saj.

Me pothuajse të gjithë hapësirën ajrore evropiane të mbyllur për avionët rusë, fluturimet për në Tel Aviv, Stamboll, Jerevan, Baku dhe Tbilisi janë shitur për ditë të tëra, ndërsa udhëtarët e tjerë kanë mbushur autobusët për në shtetet baltike.

Konstantin Siniushin, një investitor teknologjik rus me bazë në Letoni dhe partneri bashkë-menaxhues i fondit The Untitled Ventures, zbuloi se kërkesa për t’u larguar ishte aq e lartë – dhe rrugët e daljes ishin aq të limituara – sa ai mori një aeroplan për të nxjerrë njerëzit jashtë shtetit.

Ministri i Ekonomisë i Gjeorgjisë, tha të hënën se rreth 25 mijë rusë kishin mbërritur në vend. Vahe Hakobyan, kryetar i komitetit të çështjeve ekonomike të parlamentit armen, tha këtë javë se rreth 6 mijë qytetarë rusë dhe ukrainas po mbërrinin në vend çdo ditë.

Sipas analistëve, edhe përpara pushtimit dhe sanksioneve ndërkombëtare, ekonomia e Rusisë u përball me dy probleme të mëdha,: nevojën për të zhvilluar industri të reja për të reduktuar varësinë nga eksportet e hidrokarbureve dhe burimeve të tjera natyrore, dhe një rënie të popullsisë në moshë pune. Humbja e dhjetëra mijëra njerëzve të arsimuar dhe të aftë do ta përkeqësojë situatën, thonë ekonomistët.

Banka investitore amerikane, JPMorgan, javën e kaluar parashikoi se ekonomia e Rusisë do të tkurret 35% në tremujorin e dytë, 7% këtë vit dhe 12% në përgjithësi përpara se të rimëkëmbet totalisht.

Nëse mijëra të rinj rusë që kanë ikur tashmë zgjedhin të mos kthehen, goditja ekonomike do të jetë e gjatë, paralajmërojnë ekonomistët.

Edhe përpara krizës aktuale, BE-ja po kërkonte të nxiste një ikje truri rus për ta privuar Putinin nga talentet, thonë vëzhguesit. Një opsion për sanksionet e mundshme kundër Moskës, i hartuar më parë nga Brukseli, por i zëvendësuar nga pushtimi në Ukrainë, përfshinte një politikë të lehtësuar të vizave për rusët e rinj dhe të arsimuar që dëshironin të studionin ose të punonin në bllok.

Shpejtësia e eksodit rus u përkeqësua javën e kaluar pasi u përhapën thashethemet se Putin synonte të vendoste ligjin ushtarak, të mbyllte kufijtë e vendit dhe të dërgonte në ushtri burra të moshës luftarake. Mohimet e Kremlinit nuk arritën të frenonin rrjedhën.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore