Lajme

Ekspertët e pavarur të OKB-së shqetësohen për influencë ruse në Republikën e Afrikës Qendrore


Tensionet kanë qenë të larta në Republikën e Afrikës Qëndrore (CAR), që para se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale më 27 dhjetor 2020. Sot, përvec kësaj, vendi po përjeton edhe një paqëndrueshmëri politike, e cila vjen si pasojë e sulmeve nga një koalicion i grupeve të armatosura.

“Kjo paqartësi e linjave midis operacioneve civile, ushtarake dhe paqeruajtëse gjatë luftimeve, krijon konfuzion në lidhje me synimet legjitime. Gjithashtu rriten rreziqet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar”, thanë ekspertët e pavarur të emëruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Fokusi i tyre kryesor është bashkëpunimi i Forcave të Sigurisë Sewa, kompanisw ruse të nxjerrjes së arit dhe diamanteve SARLU  dhe organizata ruse  Wagner Group, midis njëra-tjetrës.

Marrëdhënie të ngushta pune

Ekspertët thanë se ishin të shqetësuar kur mësuan për marrëdhëniet e ngushta midis kontraktorëve dhe misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në CAR, “MINUSCA”.

Në veçanti, ata shprehën shqetësime me raportet që kontraktorët i lidhinin me një seri sulmesh të dhunshme që nga votimet e përgjithshme.

Ata thanë se kishin marrë, “dhe vazhdojnë të marrin, raporte për abuzime të rënda të të drejtave të njeriut dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Këto shkelje i atribuohen personelit ushtarak privat që vepron së bashku me forcat e armatosura të CAR-it, FACA, dhe në disa raste paqeruajtësve të OKB-së”.

Ndër shkeljet janë raportet e ekzekutimeve masive, ndalimeve arbitrare, torturave gjatë marrjeve në pyetje, zhdukjeve të personave, zhvendosjes së detyruar të popullatës civile, shënjestrimit pa kriter të objekteve civile, shkeljeve të së drejtave për shëndetin dhe sulmeve në rritje ndaj aktorëve humanitarë.

Ata theksuan praninë e “këshilltarëve rusë” në bazat e MINUSCA, si dhe evakuimet mjekësore të “trajnerëve rusë” të plagosur në bazat e misionit të KB.

Dalja para përgjegjësisë

Në një thirrje drejtuar qeverisë dhe “partnerëve të tyre ndërkombëtarë”, ekspertët u kërkuan të vënë para përgjegjësisë të gjithë autorët e shkeljeve të rënda dhe abuzimet e të drejtave të njeriut.

“E papranueshme, duket se nuk ka hetime dhe asnjë përgjegjësi për këto abuzime,” thanë ekspertët. “Lidhjet e ngushta midis aktorëve të ndryshëm, plus mungesën e transparencës, rrezikojnë shanset e çdo hetimi të paanshëm dhe sigurimin e përgjegjësisë për ato abuzime dhe shkelje.”

Ekspertët mbajtën qëndrim se duhet një qartësi më e madhe për rolet “partnerëve ndërkombëtarë”. Gjithashtu ata shtuan se gjetja dhe vënia para përgjegjësisë së aktorëve të shkeljeve të të drejtave të njeriut është e nevojshme për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Republikën e Afrikës Qendrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore