Lajme

Ekspertët e OKB-së: Ligji i abortit në Teksas, diskriminim seksual


Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka dënuar ashpër ligjin e ri të abortit në Teksas.

Sipas tyre, ky ligj u mohon të drejtat dhe kontrollin mbi trupin e tyre grave.

Teksasi është një ndër mbi dhjetë shtete, kryesisht të udhëhequra nga republikanët, që kanë miratuar ndalimet e abortit “pas momentit që dëgjohet rrahja e zemrës”, që shpesh ndodh në gjashtë javët e para të shtatzënisë.

Ligji kundër abortit në Teksas është i pazakontë, pasi u jep qytetarëve të thjeshtë fuqinë për ta marrë situatën në dorë, duke i lejuar ata të ngrenë padi kundër klinikës apo mjekut që kryen abortin dhe kujtdo që “ndihmon ose përkrah” një abort pas gjashtë javësh.

Ata që fitojnë padi të tilla do të marrin nga humbësi deri në 10 mijë dollarë.

Melissa Upreti, kryetarja e grupit të punës të OKB-së për diskriminimin ndaj grave dhe vajzave, kritikoi ligjin e ri të Teksasit, si “diskriminim strukturor seksual dhe me bazë gjinore në më të keqen e tij”.

Javën e kaluar, shumica e krahut të djathtë të gjykatës vendosi me një votim që të lejojë ligjin e ri në Teksas të vazhdojë, pavarësisht nga mospërfillja e qartë e dispozitës së vendimit të vetë gjykatës të vitit 1973 që legalizonte abortin në SHBA.

“Ligji dhe mënyra sesi erdhi – përmes refuzimit të Gjykatës Supreme amerikane për ta bllokuar atë në bazë të precedentit ligjor ekzistues – jo vetëm që e ka kthyer Teksasin prapa, por në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, e ka kthyer të gjithë vendin prapa”, tha Upreti.

Klinikat që ofrojnë aborte në Teksas, përfshirë rrjetin e fuqishëm të klinikave “Planned Parenthood” si dhe “Whole Women’s Health”, thanë se nuk do t’u ofrojnë më aborte grave që u kanë kaluar gjashtë javë që nga cikli i fundit i menstruacioneve.

E drejta e abortit është një nga temat që zgjon debatet më të forta në opinionin publik amerikan.

Megjithëse në shkallë kombëtare anketat tregojnë se shumica e amerikanëve duan të ruajnë të drejtat që fituan gratë përmes vendimit gjyqësor Roe v Wade, në shtete të kontrolluara nga republikanët janë miratuar një numër ligjesh që kufizojnë qasjen tek kjo e drejtë.

Njerëzit protestojnë kundër ndalimit të abortit në Teksas.

Reem Alsalem, monitoruesi i OKB -së mbi dhunën kundër grave, është shprehur ashpër mbi rregullat që ka vendosur Gjykata Supreme.

Një aspekt tjetër i diskutueshëm i ligjit të ri të Teksasit është se ai transferon përgjegjësinë për zbatimin e rregullave të reja nga zyrtarët shtetërorë te qytetarët e zakonshëm, të cilët inkurajohen të padisin këdo që “ndihmon” ose “përkrah” një abort, me shpërblime prej $10 mijë dhe tarifat e tyre ligjore të paguara nëse padia ka sukses.

Organet e të drejtave të njeriut kanë pranuar prej kohësh se mohimi i qasjes së grave në abort, duke kriminalizuar praktikën ose duke ngritur pengesa të tjera në rrethana të caktuara mund të përbëjë trajtim mizor, poshtërues dhe çnjerëzor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore