Lajme

EKSKLUZIVE/ 8 pikat ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e situatës në veri


Situata në veri ka qenë tejet e tensionuar në ditët e fundit, pas konfliktimit të qytetarëve serbë në komunat veriore me ushtarët paqeruajtës të KFOR-it, marrë parasysh gjithë rrjedhën e ngjarjeve me zgjedhjet e katër kryetarëve të rinj në katër komunat veriore të Kosovës.

Mbi këtë, pas replikave të shumta në distancë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe diplomatëve nga vendet e huaja – ku tensionet nuk munguan as diplomatikisht, ndjekur nga zhgënjimi ndërkombëtar – vjen edhe një plan konkret për de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës.

Hartues të planit janë vendet e QUINT e Bashkimi Evropian dhe Albanian Post është njohur me këtë dokument.

Në pikën e parë, kërkohet angazhimi i menjëhershëm për interpretimin e Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar në Ohër, veçanërisht në pikat 1,3,7 dhe 9.

Artikulli 1 kërkon që palët të zhvillojnë raporte normale. Artikulli 3, që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes mjeteve paqësore. Ai 7, që ka të bëjë me krijimin e komunave të vetëmenaxhuara me shumicë serbe në Kosovë si dhe artikulli 9, ku të dy palët dhe donatorë angazhohen për të krijuar paketa financiare për zhvillimin ekonomik.

Pika e dytë, parasheh tërheqjen e Forcave Speciale të Kosovës nga veriu, bashkëngjitur me tërheqjen e Ushtrisë serbe nga kufiri verior i Kosovës.

Në pikën e tretë shkruhet se siguria në territorin e komunave veriore i kalon Policisë së Kosovës, asistuar nga KFOR dhe EULEX.

Pika e katërt parasheh zhbërjen e çdo proteste dhe rikthimin e jetës normale në vend. Punonjësit e komunave duhet të kthehen në pozitat e tyre dhe të ushtrojnë detyrën pranë objekteve sipas parashikimit ligjor.

Në korrik 2023, kryetarët e komunave japin dorëheqje dhe presidentja Vjosa Osmani shpall zgjedhje të reja.

Pika e gjashtë parasheh mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në fund gushti ose fillim shtatori 2023.

Kërkohet ndërkaq sipas pikës shtatë se pikat 3,4,5 dhe 6 të marrëveshjes bazë, do të kenë progres domethënës, duke implementuar edhe artikullin 1 të marrëveshjes.

Në mes nëntori, siç përshkruan pika e 8 dhe e fundit, implementohet me efektivitet artikujt 1,2,3,4 dhe 9 të marrëveshjes.

Nga ana tjetër, përmes një postimi në Twitter, ka qenë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ai i cili ka theksuar se tre aspektet kryesore, janë zgjedhjet e reja, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to dhe rifillimi i punës për të ngritur asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në të kundërt, pasoja “shumë serioze” do të ndjekin raportet mes BE-së dhe dy vendeve, në rast mosbashkëpunimi.

Këtë Borrell ia ka bërë me dije presidentes Osmani dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, të cilët kanë zhvilluar për 10 minuta një takim trilateral, me praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrit gjerman, Olaf Scholz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore