Shqipëria

Ekskluzive/ Foshnja e infektuar në QSUT ka marrë kartë shëndetësore në Itali dhe trajtim të specializuar


Një fëmijë 1-vjeçar, i cili rezultoi i infektuar me virusin HIV vitin e kaluar, ka marrë trajtim të specializuar falas në Itali ku është pajisur edhe me kartë shëndeti nga shteti fqinj, sipas burimeve konfidenciale të Albanian Post pranë spitalit Bambino Gesù në Romë.

Historia nisi pas shtrimit të fëmijës në Pediatrinë e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, në repartin e kujdesit intensiv.

Shtrimet e tij në spital janë ripërsëritur disa herë dhe gjithmonë për arsye të ndryshme dhe pas një sërë analizash u konfirmua diagnoza HIV pozitiv, ndërsa prindërit e tij rezultonin HIV negativ.

Prindërit akuzojnë QSUT-në se fëmija i tyre është infektuar me HIV pikërisht në ambientet e Pediatrisë kur ka qenë i shtruar disa herë.

1-vjeçari është shtruar më pas në gjendje të rënduar shëndetësore në spitalin Bambino Gesù në Romë fillimisht me shpenzime financiare të mbuluara nga prindërit, ku i është nënshtruar një trajtimi të veçantë, ekzaminime të mëtejshme, ndërhyrje kirurgjikale dhe trajtim specifik për HIV dhe Tuberkuloz.

Albanian Post ka mësuar se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e rrëzoi më herët padinë penale të prindërve të fëmijës duke vlerësuar se nuk kishte të bënte me një çështje penale por vetëm civile.

Sipas organit të akuzës familjarët duhet t’i drejtoheshin gjykatës vetëm për të kërkuar dëmshpërblim financiar për dëmtimin e shëndetit të fëmijës.

Nisur nga këto rrethana avokati i çështjes e ankimoi në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për pushimin e çështjes penale, duke kërkuar pranimin e padisë të bazuar në ligj dhe në prova.

Ndërtimi i ngjarjes

Fëmija i datëlindjes 8 tetor 2021 është shtruar në Reanimacionin e Pediatrisë gjatë periudhës 28 nëntor – 9 dhjetor të vitit 2021.

Beteja e parë mes sistemit shëndetësor dhe familjes së fëmijës nisi në muajin nëntor.

Foshnja asokohe kishte vështirësi në frymëmarrje dhe u shtrua me diagnozën “bronkiolit akut”, “bronkopneumoni” dhe “insufiçencë respiratore akute”.

Diagnoza përfundimtare e tij ishte “bronkopneumopati e paspeficikuar”.

Më 9 dhjetor 1-vjeçari ia doli ta mundë bronkopneumoninë i vetëm, në Repartin e Terapisë Intensive (Reanimacion).

Tri javë më vonë, më 31 dhjetor fëmija regjistroi një temperaturë të pazakontë (39° Celsius).

Në muajin janar ai kaloi përsëri një infeksion të rëndë urinar ku u trajtua duke bërë injeksione.

Një muaj më pas fëmijës i nis një polipne dhe shtrohet në repartin e “Pneumologjisë”.

Periudha e shtrimit të fundit ishte 31 janar – 1 shkurt 2022.

Ai u diagnostikua për herë të parë pozitiv me virusin HIV më 2 mars të vitit 2022 në Laboratorin Mikrobiologjik të QSUT-së.

Një ditë më pas në Laboratorin e Referencës të Serologjisë në ISHP u soll për konfirmim mostra e gjakut të fëmijës.

Prindërit së bashku me 1-vjeçarin duke filluar nga data 4 mars deri në datën 8 qershor kanë kryer një sërë testesh në Shqipëri në laboratorë privatë të mikrobiologjisë molekulare dhe laboratorë të gjenetikës e biologjisë molekulare në vende të BE-së për të prodhuar të njëjtin rezultat – prindërit HIV negativë, fëmija HIV pozitiv.

Në letrën e publikuar në media, familja e fëmijës bëri me dije se testi u konfirmua si në Turqi ashtu edhe në Gjermani.

Kjo histori provoi se sistemi shëndetësor në Shqipëri ende vuan në hallka të ndryshme të tij. Shembulli më i mirë është fare ngjitur, Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore