Lajme

Ekrem Kastrati merr detyrën e kryetarit të Malishevës


Ekrem Kastrati

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati dhe anëtarët e zgjedhur të Kuvendit të Komunës së Malishevës, gjatë ditës së mërkurë zyrtarisht e kanë dhënë betimin dhe ligjërisht i kanë marrë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

Kastrati në ceremoninë e betimit në Kuvendin e Komunës së Malishevës u zotua se do të bashkëqeverisë me qytetarët për jetësimin e vizionit për “Malishevën Urbane”.

“Më lejoni që të ritheksoj edhe një herë, ashtu siç e kam thënë mjaftueshëm prej që e kam nisur këtë rrugëtim politik, fokusi im është zhvillimi i Malishevës Urbane dhe qëllimi im është që qytetarët e Komunës së Malishevës të kenë trajtim të barabartë në marrjen e shërbimeve që meritojnë”, ka thënë Kastrati.

“Si një ithtar i parimit të bashkëvendimmarrjes me qytetarët, ju premtoj se pavarësisht sfidave që mund të kemi gjatë këtij rrugëtimi qeverisës që sot po e nisim, ne, për asnjë moment nuk do të ndalemi deri në jetësimin e vizionit tonë për Malishevën Urbane”, ka shtuar ai.

I pari i Malishevës ka shtuar se një qeverisje e mirë dhe e suksesshme është vetëm ajo që bashkëvepron me qytetarët dhe i harton politikat bashkë me komunitetin.

Kuvendi Komunal i Malishevës

Kastrati gjithashtu ka vlerësuar edhe punën e paraardhësit të tij dhe bashkëpartiakut të tij nga Nisma Social Demokrate, Ragip Begaj duke thënë se në tetë vjetët e kaluara Malisheva është zhvilluar, por ka akoma punë.

“Çdo punë e mirë e qeverisjes Begaj është duartrokitur si sukses, vlerësimi qytetar që kemi marrë ka treguar qartë se në këto 8 vite është punuar e Malisheva është zhvilluar, por kjo nuk duhet të na bëj komod, përkundrazi ne duhet të punojmë edhe më fort,  që t’i vazhdojmë projektet që janë në proces, në mënyrë që më pas Malishevën ta çojmë në një stad tjetër të zhvillimit e përparimit, deri në urbanizimin e plotë të saj, për çka edhe shoqëria jonë e pret me padurim”.

Ekrem Kastrati si kandidat për Kryetarë të Komunës së Malishevës nga radhët e Nismës Social Demokrate, kishte arritur ta mposht kundër kandidatin e tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Isni Kilaj në raundit e dytë të Zgjedhjeve Lokale më 17 nëntor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore