Shqipëria

Ekpertët italianë në Pukë, hetojnë nga afër zhdukjen e Pecorelli-t


Të mërkurën e 27 janarit ekspertët italianë të kriminalistikës, së bashku me hetuesit shqiptarë kanë shkuar në Pukë. Ata kanë nisur hetimet mbi zhdukjen e biznesmenit italian Davide Pecorelli.

Fillimisht kanë shkuar në policinë e Pukës. Aty kanë parë nga afër makinën e djegur, e cila është përdorur nga 45-vjeçari.

Ekspertët italianë kanë kërkuar nga hetuesit shqiptarë dosjen me deklaratat e dëshmitarëve. Ata kanë kërkuar edhe pamje të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja.

Bëjmë me dije se Prokuroria e Perugia-s e ka regjistruar ngjarjen si vrasje. Mediat italiane kanë hedhur dyshime se 45-vjeçari mund të jetë grabitur dhe vrarë përpara se makina të merrte flakë.

Akoma nuk është bërë me dije nga policia arsyeja se pse makina e tij mori flakë.

Autoritetet shqiptare dhe ato italiane janë në pritje të daljes së AND-së, për ta parë nëse eshtrat e gjetura brenda në makinën e djegur janë të Pecorelli-t. Ata do të krahasohen me ADN-në e vëllait të Pecorelli-t.

Kujtojmë se Davide mbërriti në Pukë në datën 4 janar rreth orës 21:30. Ai ka qëndruar dy netë në një hotel në këtë zonë. Pecorelli humbi çdo kontakt me familjarët më 6 janar.

Nga kontrolli i celularëve dhe dëshmitë që kanë dhënë miqtë e 45-vjeçarit në Itali, rezulton se telefoni i tij ka qenë aktiv edhe dy ditë pas zhdukjes. Më datë 7 janar ai është telefonuar nga punonjësit. Ata janë shprehur se zilja binte, por askush nuk është përgjigjur.

Pecorelli ka folur me një prej shokëve përpara ngjarjes. Ai është shprehur se më 10 janar do të kthehej në Itali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore