Financa

“Ekonomia globale përballë një perspektive të zymtë”


Ekonomia globale do të përballet me një “perspektivë të zymtë”.

Ka qenë ky paralajmërimi i presidentit të Bankës Botërore, David Malpass, pasi pas-goditjet e pandemisë vazhdojnë të rëndojnë rritjen ekonomike, veçanërisht në vendet e varfra.

Parashikimi i fundit tregon se rritja globale do të ngadalësohet në 4.1% këtë vit, nga 5.5% që ishte në vitin 2021.

Ai ua atribuoi ngadalësimin kërcënimeve të virusit, zbutjes së ndihmës së qeverisë dhe një rikthimi fillestar të zbehjes së kërkesës.

Malpass tha se shqetësimi i tij më i madh ishte zgjerimi i pabarazisë globale.

“Zvarritja e madhe është pabarazia që është ndërtuar në sistem”, tha ai për të përditshmen britanike “BBC”, duke vënë në dukje se vendet më të varfra ishin veçanërisht të cenueshme ndaj dëmeve ekonomike, teksa përpiqeshin të luftonin inflacionin.

“Perspektiva për vendet më të dobëta do të mbetet gjithnjë e më shumë prapa. Kjo shkakton pasiguri”.

Ndërsa, Forumi Ekonomik Botëror (WEF) paralajmëroi se rimëkëmbjet e ndryshme ekonomike po e bëjnë më të vështirë bashkëpunimin për sfidat globale si ndryshimi i klimës.

“Zgjerimi i pabarazive brenda dhe midis vendeve jo vetëm që do ta bëjë më të vështirë kontrollin e COVID-19 dhe varianteve të tij, por gjithashtu do të rrezikojë veprimin e përbashkët kundër kërcënimeve që bota nuk mund t’i lejojë vetes t’i anashkalojë”, paraqiti WEF në raportin vjetor të rreziqeve globale të martën.

Raporti i Bankës Botërore për Perspektivat Ekonomike Globale tregon se në vitin 2021 ekonomia e botës u rikthye nga pandemia me zgjerimin më të fortë pas recesionit në 80 vjet.

Fitimet pritet të bien këtë vit, pasi variantet e virusit dhe çmimet në rritje për artikuj të tillë, si ushqimi dhe energjia, rëndojnë mbi familjet.

Në nivel global, inflacioni është në nivelin më të lartë që nga viti 2008, thotë raporti.

Banka, e cila u jep hua vendeve në mbarë botën, paralajmëroi gjithashtu se pengesat e zinxhirit të furnizimit dhe zbutja e programeve stimuluese përbënin rreziqe.

Ngadalësimi në gjysmën e dytë të 2021-shit ishte tashmë më i madh nga sa kishte pritur banka në parashikimin e saj të qershorit, për shkak të përhapjes së varianteve Omicron dhe Delta.

“Realiteti është se COVID-19 dhe mbylljet po marrin një taksë të madhe. Kjo është veçanërisht e vërtetë për njerëzit në vendet më të varfra”, tha Malpass.

“Vetëm një këndvështrim i zymtë”.

Nxitës i ngadalësimit global janë Kina, ku norma e rritjes pritet të bjerë në 5.1% nga 8% vitin e kaluar dhe SHBA, e cila parashikohet të zgjerohet me 3.7% këtë vit, krahasuar me 5.6% në 2021.

Banka parashikon se në eurozonë, zgjerimi do të ngadalësohet në 4.2% këtë vit, nga 5.2% që ishte.

India paraqet një vend pozitiv, me normën e rritjes që pritet të rritet nga 8.3% në 8.7% këtë vit.

Shumë tregje në zhvillim vazhdojnë të luftojnë me sfida shtesë, siç janë normat më të ulëta të vaksinimit.

Në Amerikën Latine dhe Karaibe, për shembull, rritja pritet të ngadalësohet në 2.6% në 2022, nga 6.7% vitin e kaluar.

Deri në vitin 2023, aktiviteti ekonomik në të gjitha ekonomitë e përparuara, si SHBA, Eurozona dhe Japonia, ka të ngjarë të jetë rikuperuar nga goditja që mori gjatë pandemisë, tha banka.

Megjithatë, prodhimi në vendet në zhvillim pritet të mbetet 4% më i ulët se sa ishte përpara goditjes nga COVID.

Malpass fajësoi programet stimuluese në vendet më të pasura për përkeqësimin e ndarjes duke nxitur inflacionin global. Ndërsa zyrtarët në shumë vende, përfshirë SHBA-të, tani pritet të rrisin normat e interesit në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve, Malpass paralajmëroi se kostot më të larta të huamarrjes mund të dëmtojnë aktivitetin ekonomik, veçanërisht në ekonomitë më të dobëta.

Ai tha se do të preferonte që bankat qendrore të fokusoheshin në programet stimuluese të epokës së pandemisë, të cilat blejnë asete të tilla si letrat me vlerë të mbështetura nga hipoteka.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore