Tanët

Ekipi Olimpik i Kosovës parakalon në ceremoninë e hapjes në “Tokyo 2020”


Ekipi Olimpik i Kosovës ka parakaluar në ceremoninë e hapjes në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Ekipit i kanë prirë Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova, të cilët kanë mbajtur flamurin e Kosovës, gjatë parakalimit.

Të pranishëm në këtë ceremoni nuk ishin Distria Krasniqi, për shkak të garës që e pret nesër, si dhe mundësi Egzon Shala dhe atleti Musa Hajdari, të cilët arrijnë më vonë në Tokio, shkaku i orarit të mëvonshëm të garave.

Kosova parakaloi si shteti i 67-të, me tetë sportistë dhe gjashtë trajnerë e zyrtarë.

E pranishme në Tokio, është edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është shprehur krenare që ka parë parakalimin e sportistëve nga Kosova në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

“Nder e krenari ta shoh parakalimin e 11 sportistëve të Republikës së Kosovës, të cilët po marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Tokio. Populli i Kosovës është krenar me ju, beson në përgatitjen tuaj, suksesin tuaj dhe triumfin tuaj”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.

Kujtojmë që Kosova do të përfaqësohet me 11 sportistë në Tokio.

Me normë Olimpike janë xhudistët Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova, si dhe mundësi Egzon Shala.

Ndërkohë me ftesë janë boksierja Donjeta Sadiku, atleti Musa Hajdari, shenjëtari Drilon Ibrahimi dhe notarët Eda Zeqiri dhe Olt Kondirolli.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore