Lajme

Ekipi ligjor braktis Trump-in përpara gjyqit


Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump

Butch Bowers dhe Deborah Barbier, dy avokatët kryesorë mbrojtës të ish-presidentit Donald Trump, nuk janë më pjesë e ekipit të tij.

Ky largim i avokatëve ndodhi një javë para se të fillojë gjyqi i tij në Senat, duke ngelur pa një përfaqësim ligjor.

Kjo përmbysje përbën pasiguri në ekipin mbrojtës të Trump-it ndërsa ai është në pritje për tu përballur me akuzat se nxiti kryengritje në Capitol në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6 janar.

Gjithashtu, Josh Howard, një avokat i Karolinës së Veriut i cili u shtua kohët e fundit në ekip, është larguar, sipas një burimi, njofton agjencia e lajmeve CNN. Edhe Johnny Gasser dhe Greg Harris, nga Karolina e Jugut, nuk janë më të përfshirë në këtë çështje.

Sipas njoftimeve, Bowers dhe Barbier-a u larguan nga ekipi sepse Trump-i kërkonte mbrojtje duke u mbështetur në akuzat e mashtrimit të zgjedhjeve. Avokatët nuk janë dakord për këtë çështje.

Ish-këshilltari i fushatës së Trump-it, Jason Miller tha për CNN se nuk është marrë një vendim përfundimtar në ekipin e tyre ligjor.

“Përpjekjet e Demokratëve për të fajësuar një president i cili tashmë ka lënë detyrën është totalisht antikushtetuese dhe kaq e keqe për vendin tonë”.

Pasi shumë avokatë nuk e morën përsipër çështjen e Trump-it, senatori i Karolinës së jugut, Lindsey Graham i prezantoi Bowers-in.

Bowers-i është një figurë e njohur, që ka përfaqësuar zyrtarë dhe kandidatë politikë duke përfshirë dhe ish-guvernatorin e Karolinës Jugut, Mark Sanford.

Ndërsa, Barbier-a ka punuar si prokurore federale për 15 vite në shtet, me çështje të profilit të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore