Sport

Ekipi i Kategorisë së Tretë i thyen cepat yjeve të Real-it


Real Madrid-i ka pësuar një humbje suprizë në Copa del Rey ose siç njihet ndryshe në Kupën e Mbretit. Galaktikët e Real-it janë eleminuar nga Alcoyano, që luan në Tercera Division (Kategoria e Tretë), pas 120 minutave lojë.

Në sezonin aktual jemi mësuar që ekipet e kategorive më të ulta, të eliminojnë ekipe me emër në futbollin europian. Situatë të tillë pati Atletico Madrid-i që u eleminua nga Cornella, po e Kategorisë së Tretë.

Në vendet e tjera, ndodhi dhe në Gjermani, ku Bayern Munich-u u eleminua nga Holstein Kiel-i, i Bundesligës së Dytë, në Itali Sassuolo u eleminua nga Spal-i i Serisë B etj.

Zinedine Zidane-i nuk luajti me të gjithë yjet në fushë. Interesant është fakti që një nga 11 lojtarët e Real-it që luajtën në formacion, vlen shumë herë më shumë se gjithë lojtarët e Alcoyano-s së bashku.

Klubi i Alcoyano-s ka një vlerë rreth dy milionë e 600 mijë euro. Vlerë më të madhe kanë dhe ekipet e Superligës Shqiptare, përveç Apolonisë dhe Bylisit, që kanë shifra të përafërta me Alcoyano-n.

Të kthehemi tek ndeshja, për Real-in shënoi Eder Militao, pas një asisti të bashkëkombësit të tij Marcelo-s, në minutën e 45’ të pjesës së parë. Vendasit barazuan me anë të Jose Solbes-it, në minutën e 80’ të takimit.

Koha e rregullt përfundoi në barazim dhe ndeshja shkojë në shtesë. Në minutën e 110’ Ramon Lopez-i i vendasve ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Alcoyano-n me 10 lojtarë.

Edhe pse me 10 lojtarë në fushë, pesë minuta pas kartonit të kuq, vendasit shënuan golin e fitores, 2-1, me anë të Juan Casanova-s. Real-i ishte i pafuqishëm për të ndryshuar rezultatin dhe për pasojë eleminohet me një humbje turpëruese./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore