Përballje

Ekipet që u kualifikuan në raundin tjetër në Ligën e Konferencës


Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në Europa Conference Leauge, ku në ora 21:00 u zhvilluan takimet e Grupeve E, F, G dhe H.

Ekipet që pozicionohen në vendet e para të grupeve të tyre respektive, do të kalojnë në fazën e 1/8-ve të finales së kësaj gare, ndërsa vendet e dyta do të nisin fazën e eliminimit direkt, nga 1/16-a e finales.

Në Grupin E, vendin e parë e zuri Feyenoord me 14 pikë të grumbulluara, të cilët në ndeshjen e fundit mposhtën Maccabi Haifa-n, me rezultat 2:1.

Ndërsa vendin e dytë në këtë grup e zuri Slavia e Pragës me tetë pikë, që në ndeshjen e fundit barazuan 1:1 ndaj Union Berlin-it.

Në Grupin F, vendin e parë e zuri skuadra daneze, Copenhagen me 15 pikë të grumbulluara, të cilët në takimin e fundit mposhtën Slovan Bratislavën me shifrat 2:0.

Kurse në vendin e dytë të këtij grupi u pozicionua skudra greke, PAOK, që në ndeshjen e fundit shënuan fitore me lehtësi ndaj skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, me shifrat 2:0.

Në Grupin G, situata ende mbetet e pazgjidhur, pasi që ndeshja Tottenham – Rennes nuk është zhvilluar për shkak të infektimeve të shumta me COVID-19 nga ana e skuadrës angleze.

Momentalisht vendin e parë në këtë grup e mban Rennes me 10 pikë, në të dytin pozicionohet Vitesse me 10 pikë, të cilët mposhtën me shifrat 3:1 Mura-n e Sllovenisë, kurse Tottenham gjendet në vendin e tretë, me shtatë pikë.

Ndërkohë, në Grupin H, vendin e parë e mori Basel me 14 pikë, të cilët në ndeshjen e fundit mposhtën skuadrën nga Azerbajxhani, Qarabag, me rezultat 3:0, të cilët përfunduan të dytët në këtë grup, me 11 pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore